Shqipëria

Gjykata njohu ankimimin e Alibeaj, Kaso: Vendim nul, në kundërshtim të hapur me ligjin


Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso, e ka konsideruar nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.

“Në radhë të parë dua të sqaroj se ndryshe nga sa është sqaruar në disa media dhe portale Gjykata e Apelit nuk ka vendosur prishjen e vendimit të gjyqtarit Zhukri, por është pranuar ankimi nga një pal që pretendon që përfaqëson Partinë Demokratike”, tha Kaso.

Gjykata e Tiranës e pranoi sot ankimimin e Enkelejd Alibeajt lidhur me vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri.

Ky i fundit njohu Kuvendin e 11 dhjetorit të ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha.

Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga ish-lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.

“Siç e parashikon ligji pas zbardhjes së vendimit mund të ankimohet brenda pesë ditëve dhe ky do të jetë veprimi i radhës nga ana jonë”.

Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.

Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.

Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.

Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.

“Janë element që për këdo i lind e drejta të paraqesë një kallëzim penal për shpërdorim detyre të gjyqtarit”, theksoi Alibeaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore