Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin e Kuvendit dhe nuk shkarkon presidentin Meta
albanianpost
16.02.2022 23:16Me një njoftim të orëve të vona, Gjykata Kushtetuese zbuloi vendimin e saj për të mos shkarkuar Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Kushtetuesja në këtë mënyrë shfuqizoi votimin e Kuvendit për shkarkimin e kreut të shtetit.
Në publikimin e GjK-së bëhet me dije se vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.
Kjo, e parashikuar nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese, sqaron në vendimin e saj, se pasi verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi, konstatoi në tërësi se nuk kishte pasur shkelje kushtetuese gjatë kësaj procedure.
Sipas organit, Legjislatura IX e Kuvendit, ka pasur legjitimitet substancial, në vlerësim të momentit të konstituimit të Kuvendit.
GjK-ja thekson se faktet e paraqitura nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Faktet që lidhen me të drejtat në procesin zgjedhor nuk përbëjnë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Kushtetuesja vëren në vendim se edhe faktet që lidhen me marrëdhëniet me partnerët strategjikë nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Mes tyre, ajo rëndit edhe faktet që lidhen me pavarësinë e organeve publike apo për shkelje të rendit dhe sigurisë publike.
Të dyja këto të fundit, sipas gjykatës, nuk përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
Procesi
Gjykata Kushtetuese do të tërhiqej më 7 shkurt për të marrë vendimin për shkarkimin ose jo të presidentit.
Ajo njoftoi se, brenda 30 ditëve, do të zbardhej vendimi i arsyetuar.
Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, do të deklaronte se Kuvendi ka shkelur procedurën, duke e kthyer procesin tërësisht politik.
Sipas tij, ky organ legjislativ, e trajtonte këtë çështje si “goditje ndaj presidentit”.
Për të, shkeljet procedurale të Kuvendit kanë qenë të vazhdueshme, të shumta, të përsëritura.
“Provat e marra përmes një procesi të rregullt ligjor, janë të papërdorshme dhe të pavlefshme. Të gjitha provat që pretendon Kuvendi janë marrë në shkelje të Kushtetutës. Produkti është nul. Pavlefshmëri, antikushtetuetshmëri”, deklaronte ai gjatë mbrojtjes.