Shqipëria

Gjykata Kushtetuese nis punën


Gjykata Kushtetuese nis zyrtarisht punën. Ajo do t’i rikthehet sot normalitetit, pas gati tre vitesh bllokim.

Procesi i vetingut shkarkoi pjesën dërrmuese të anëtarëve, duke mos pasur kuorumin e nevojshëm për shqyrtimin e çështjeve.

Në dhjetor të 2020, u plotësua numri me anëtarë të rinj dhe kështu u bë e mundur situata për mbajtjen e seancave.

Në rendin e ditës së sotme, çështja e parë që do të shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese është kërkesa nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila kërkon “shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të togfjalëshit ‘nga Gjykata e Shkallës së Parë, që ka dhënë vendimin në dhomën e këshillimit’, parashikuar në pikën 1 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe togfjalëshit ‘… i së njëjtës gjykatë’, parashikuar në pikën 3 të nenit 453 të Kodit të Procedurës Penale, të ndryshuar me ligjin nr. 35/ 2017″.

Në një mbledhje të organizuar pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar kalendarin e punës, pas pothuajse tre vite bllokimi.

Janë 25 çështje të bëra gati, që do të shqyrtohen nga gjashtë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

32 çështje të tjera presin për mbledhjen e gjyqtarëve, më e rëndësishmja e të cilave është padia e shoqatës së bashkive. Ata kërkojnë shpalljen si antikushtetuese të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese do të marrin përsipër të shqyrtojnë edhe ankesën e kryemininstrit të Shqipërisë, Edi Rama, kundër presidentit Ilir Meta, për çështjen e refuzimit të dekritimit të Gent Cakës, si ministër të Jashtëm.

Gjithashtu, janë edhe dy padi të ngritura nga presidenti Meta me emrin “Teatri Kombëtar”. Njëra padi konsiston në shpalljen të papajtueshme të projektit urban të godinës së re të Teatrit Kombëar. Padia e tjetër kundërshton vendimin e datës 8 maj 2020, në të cilin Teatri Kombëtar i kalon bashkësisë Tiranë.

Që nga viti 1992 kur dhe u krijua, në Gjykatën Kushtetuese janë trajtuar parime të rëndësishme duke nisur nga shpallja si antikushtetues të ligjit për dënimin me vdekje, ligji i lustracionit, deti , vettingu e kthimi dhe kompensimi i pronave. Veç dosjeve që e presin, ku kërkohet garantimi i të drejtave të qytetarëve, për Gjykatën e re Kushtetuese ka dhe një provim tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo. Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë, që ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme dhe kjo do të thotë se dikush duhet të shpejtojë ritmin për të krijuar numrat e duhur për në Gjykatën Supreme.

Gjykata Kushtetuese është krijuar në vitin 1992 dhe janë trajtuar parime të rëndësishme. Ajo ka shfuqizuar ligjin për dënimin me vdekje në vitin 2007, duke e zëvendësuar me burgim të përjetshëm.

Ka trajtuar ligjin e lustracionit. Hapja e dosjeve të periudhës së sistemit diktatorial dhe gjykimin e tyre.

Gjykata Kushtetuese ka miratuar procesin e vetingut, i cili është “procesi që shërben për përjashtimin e zyrtarëve publik që nuk kanë integritet në përmbushjen e detyrës”.

Çështja e pronave, kthimi apo kompensimi i tyre, ka qënë një ndër çështjet e tjera, të shqyrtuara nga Gjykata Kushtetuese, ku edhe sot ka probleme akoma të pa zgjidhura.

Veç dosjeve që e presin, për Gjykatën e re Kushteuese ka dhe një detyrim  tjetër ndaj palëve, qofshin politike ose jo. Ligji kërkon nëntë gjyqtarë kushtetues, tre prej të cilëve duhet të vijnë nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit ende nuk e ka numrin e duhur për të thirrur mbledhjen e përgjithshme./AlbanianPost.com

 

 

 

 

 

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore