Lajme

Gjykata Kushtetuese dërgon Kosovën në zgjedhje të parakohshme


Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme  votën e deputetit  të Partisë së Ashkalinjve për Integrim, Etem Arifi. Ky vendim e çon rrjedhimisht  Kosovën në zgjedhje të parakohshme.  Vota pro e deputetit Etem Arifi, e cila solli fituese qeverinë e Avdullah Hotit u shpall e paligjshme pasi mbi të rëndonte akuza për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove dhe dënimi i  gjykatës me një vit e tre muaj burgim.

Duke u bazuar në këtë  vendim, qeveria e Kosovës shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 40 ditëve, ndërkohë që  qeveria e Hotit do të jetë në fuqi deri në krijimin e qeverisë së re. 

Më 11 qershor,  Lëvizja Vetëvendosja (VV)  kishte kontestuar  legjitimitetin e votës së Etem Arifit dhe ligjshmërinë e qeverisë së re të Avdullah Hotit duke e çuar këtë cështje në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas vendimit të Gjykatës më 28 mars dhe 20 gusht 2019 deputeti Etem Arifi është dënuar  me një vit e tre muaj burgim, ndërkohë që më  gjashtë tetor të  2019-ës u mbajtën zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në këto zgjedhje Etem Arifi  kishte kandiduar dhe ishte zgjedhur  deputet  dhe pse  ndaj tij rëndonte një vendim gjyqësor për mashtrim me subvencione.

Në muajin gusht deputeti  Arifi  kishte mundur t`i shmangej arrestimit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës. Më 23 shtator  ai kishte ankimuar dënimin, por Gjykata nuk e kishte marrë në konsideratë kërkesën e tij, duke e cilësuar si të papranueshme.

Etem Arifi kishte mundur të votonte më  3 qershor, kur u votua qeveria e re e drejtuar nga Avdullah Hoti.  Ai kishte mundur të merrte një shtyrje të ekzekutimit të dënimit, për shkak të arsyeve shëndetësore nga Gjykata Themelore e Prishtinës duke bërë  në këtë mënyrë të mundur pjesëmarrjen në dy seanca të rëndësishme të  Kuvendin e Kosovës. 

Në seancën e parë, më 25 mars 2020 Arifi kishte votuar për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit të VV-së,  ndërsa në seancën e dytë më  3 qershor ai  kishte votuar për formimin e qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i  Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore