Lajme

Gjykata italiane e dënon me 4 vjet burg kosovaren me nofkën “Luanesha e ISIS-it”


Bleona Tafallari

Është dënuar me 4 vjet burg në Itali, Bleona Tafallari, 21-vjeçarja me origjinë nga Kosova, pjesëtare e organizatës terroriste islamike “Luanët e Ballkanit”, të cilët kanë orkestuar një sërë sulmesh terroriste në Evropë, transmeton gazeta italiane “Il Giorno“.

Tafallari, sipas urdhrit të gjykatësit Carlo Ottone De Marchi, kishte përqafuar radikalizmin xhihadist dhe ishte akomoduar edhe në mesin e të miturve, pa fshehur ambicie për të shkuar për të luftuar në zonat e luftës kundër “armikut perëndimor”.

Në telefonin që i përkiste 21-vjeçares ishin gjetur mbi 7 mijë regjistrime, video dhe imazhe, disa nga agjencia e komunikimit të Shtetit Islamik “Al Hayat Media Center”, si dhe mbi dy mijë biseda që nuk linin dyshim, sipas aktakuzës, për anëtarësimin e saj në ISIS.

Tafallari njihej me nofkën “Luanesha e ISIS-it”. Ajo përdorte pseudonimin “nusja pelegrine” në llogaritë e saj në rrjetet sociale. 21-vjeçarja është arrestuar më 17 nëntor të vitit të kaluar në rajonin e Lombardisë për terrorizëm ndërkombëtar pas një hetimi të koordinuar nga prokurori Leonardo Lesti.

Ajo ishte martuar në janar të vitit 2021 me muxhahedin kosovar, Përparim Veliçi (21-vjeçar), një terrorist i ISIS-it, por me vendbanim në Gjermani. Ai kishte lidhje me bombarduesin e Vjenës, sulmi terrorist i të cilit la pas 4 të vdekur dhe 23 të plagosur.

Gjithshtu, sipas raportimeve të mediave italiane, ajo ishte radikalizuar qysh në moshën 16 vjeçare, ndërsa së fundi drejtonte një rrjet të grave, përmes së cilës bindte vajza e gra të tjera të martoheshin me xhihadistët dhe t’i bashkoheshin ISIS-it.

Përpara gjyqtarit dhe më vonë para prokurorëve hetues, ajo kaherë ishte mbrojtur duke u përpjekur të sqaronte se nuk kishte bërë asnjëherë propagandë, se nuk e kishte menduar asnjëherë “të bëhej martire, e as të shkonte për të luftuar”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore