Lajme

Gjykata evropiane refuzon çështjen e diskriminimit të homoseksualëve në Irlandën e Veriut


Gjykata më e lartë evropiane për të drejtat e njeriut e ka përcaktuar të papranueshëm pretendimin për diskriminimin e një burri nga një furre buke në Belfast.

Çështja lidhet me refuzimin e tortës së martesës pro homoseksualëve, për shkak të besimeve fetare të pronarëve, tregon gazeta “The Washington Post”.

Vendimi i dha fund një beteje ligjore shumëvjeçare që kishte ngritur pikëpyetje rreth të drejtave civile, lirive fetare dhe orientimit seksual në Irlandën e Veriut.

Sipas gjykatës, kërkesa ishte e papranueshme për shkak se ankuesi, aktivisti për të drejtat e homoseksualëve Gareth Lee, nuk kishte arritur të adresonte të drejtat e tij sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Duke u mbështetur vetëm në ligjin e brendshëm, kërkuesi u kishte hequr gjykatave vendase mundësinë për të adresuar çdo çështje të ngritur të Konventës”, kanë shkruar gjyqtarët.

Ata kanë shtuar se Lee po i kërkonte Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut të “uzurponte rolin e gjykatave vendase”.

Për herë të parë, ankesa u bë në vitin 2014, pasi Lee njoftoi Komisionin e Barazisë së Irlandës së Veriut se furra e drejtuar nga Ashers Baking Co kishte anuluar porosinë e tij.

Refuzimi ishte për një tortë me personazhet e Sesame Street, Bert dhe Ernie dhe që mbante sloganin: “Mbështesim martesën e homoseksualëve”.

Asokohe, martesa të tilla ishin të ndaluara në Irlandën e Veriut.

Ndërkaq, kompania u kundërpërgjigj, duke përmendur lirinë fetare, paçka se e humbi çështjen fillestare dhe një apel të mëvonshëm.

Por, në vitin 2018, Gjykata e Lartë e Britanisë vendosi në favor të furrës së bukës, duke nxjerrë se nuk e kishte diskriminuar Lee, për shkak të orientimit të tij seksual.

“Ata do të kishin refuzuar të bënin një tortë të tillë për çdo klient, pavarësisht nga orientimi i tyre seksual”, ka thënë presidentja e atëhershme e gjykatës, Brenda Hale.

Sipas saj, “kundërshtimi i tyre ishte për mesazhin në tortë, jo për karakteristikat personale të Lee”.

Për vendimin e tanishëm të gjykatës, Lee ka thënë se ndjehej i zhgënjyer që çështja u pushua për shkak të një “çështjeje teknike”.

“Askush prej nesh nuk duhet të pritet që të kuptojë bindjet e pronarëve të një kompanie përpara se të hyjë në dyqanin e tyre ose të paguajë për shërbimet e tyre”, ka dalluar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore