Lajme

Gjykata e Lartë refuzon ofertën e Trump-it për të mbrojtur dokumentet nga paneli i 6 janarit


Donald Trump - Ish president i SHBA-ve.

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit  Donald Trump për bllokimin e publikimit të të dhënave të Shtëpisë së Bardhë për Komitetin e Kongresit që hetonte sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Capitol.

Urdhri, i cili hedh mënjanë kërkesën e Trump-it për të ndaluar komitetin e përzgjedhur të Dhomës së Përfaqësuesve nga marrja e të dhënave, ndërsa çështja kalon nëpër gjykata, nënkupton se më shumë se 700 dokumente, që mund të hedhin dritë mbi sulmin, mund t’i transferohen Kongresit.

Anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë, i cili sinjalizoi se do të kishte pranuar kërkesën e Trump-it për një urdhër-ndalimi, ishte gjyqtari Clarence Thomas.

Urdhri nuk jepte një arsyetim për refuzimin e kërkesës, çka nuk është e pazakontë për kërkesat për qëndrime urgjente.

Humbja e Trump-it në gjykatë i lejon komitetit të përzgjedhur të marrë nga Arkivi Kombëtar disa nga të dhënat më të ndjeshme të Shtëpisë së Bardhë nga administrata e tij, duke përfshirë regjistrat e telefonatave, ditarët e përditshëm presidencialë, shënimet e shkruara me dorë dhe memorandumet nga ndihmësit e tij kryesorë.

Dokumentet, të cilat Trump u përpoq t’i mbronte pas pretendimeve për privilegj ekzekutiv, përfshinin gjithashtu materiale në dosjet e ish-shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows, zëvendës-këshilltarit, Pat Philbin dhe këshilltarit Stephen Miller.

Donald Trump.

“Këto të dhëna lidhen të gjitha me ngjarjet rreth 6 janarit dhe mund të ndihmojnë hetimin e Komisionit të Përzgjedhur në atë ditë”, shkruanin në një dosje të mëparshme avokatët e departamentit të drejtësisë, që vepronin në emër të kryearkivistit, David Ferriero.

Veprimi i gjykatës supreme, i cili pason refuzimin e mëparshëm të kërkesës së Trump-it nga dy gjykata më të ulëta, ka të ngjarë të ketë gjithashtu një efekt kaskadues në paditë e tjera të ngritura kundër panelit, të cilat varen nga suksesi i procesit gjyqësor.

Avokatët e Trump-it i kishin kërkuar gjykatës supreme që të merrte çështjen.

Kjo, pasi ata nuk ishin dakord me vendimin unanim të Gjykatës së Apelit të SHBA-ve për qarkun DC që presidenti aktual Joe Biden mund të hiqte dorë nga privilegji ekzekutiv mbi kundërshtimet e një ish-presidenti.

Joe Biden.

“Vendimet e gjykatës më të ulët që i drejtojnë Arkivat Kombëtare të dorëzojnë të dhënat ‘fuqinë aftësinë’ e ish-presidentëve për të ruajtur privilegjin ekzekutiv ndaj kundërshtimit të një presidenti në detyrë, i cili është shpesh, siç është rasti këtu, një rival politik”, thanë ata.

Ekipi ligjor i Trump argumentoi se komitetit të përzgjedhur i mungonte gjithashtu nevoja legjitime legjislative për të kërkuar dokumentet dhe në vend të kësaj ishte angazhuar në një hetim “partizan” që kërkonte prova për t’i shkaktuar dëm politik ish-presidentit.

“Këto kërkesa gjithëpërfshirëse janë tregues i hetimit të gjerë të komitetit për një armik politik, të ndarë nga çdo funksion legjislativ i Kongresit”, thanë avokatët e Trump për panelin.

Por në një opinion të panënshkruar, gjykata më e lartë e vendit i hodhi poshtë ato argumente, duke mbështetur vendimin e gjykatës së apelit që konstatoi se megjithëse Trump kishte njëfarë pushteti të kufizuar për të ushtruar privilegjin ekzekutiv, ai nuk ishte i mjaftueshëm për të kapërcyer heqjen dorë nga Biden.

Gjykata citoi një vendim të gjykatës supreme të vitit 1977 në një mosmarrëveshje midis ish-presidentit Richard Nixon dhe Arkivit Kombëtar, i cili tha se presidenti në detyrë ishte në pozitën më të mirë për të vendosur nëse mbrojtja duhet të kërkohet.

Gjykata e Apelit tha se, për sa kohë që komiteti i përzgjedhur mund të citonte të paktën një qëllim legjislativ për dokumentet dhe reformimin e ligjeve për të parandaluar përsëritjen e 6 janarit – kjo do të mjaftonte për të justifikuar kërkesën e tij për të dhënat e Trump-it.

Komiteti i përzgjedhur ka hedhur poshtë gjithashtu pretendimin e Trump-it se detyrimi i Arkivave Kombëtare për të dorëzuar dokumentet e Shtëpisë së Bardhë mund të dekurajojë ndihmësit e ardhshëm presidencialë që të japin këshilla të sinqerta.

Protestat e dhunshme të 6 janarit në Capitol Hill.

“Ai argument ishte i gabuar”, tha komiteti i përzgjedhur, duke shtuar se”sjellja e Trump dhe disa prej ndihmësve të tij më të lartë nën hetim shkoi shumë përtej çdo diskutimi të zakonshëm në lidhje me detyrat zyrtare të një presidenti”.

Pak çaste pasi gjykata supreme dha vendimin e saj, hetuesit që punonin në zyrat e komitetit të përzgjedhur në Capitol Hill u dëgjuan duke duartrokitur, ashtu si trupi gjykues thirri më shumë individë të lidhur me kryengritjen e 6 janarit.

Në veprimin e tij të fundit hetimor, paneli lëshoi ​​fletëthirrje për aktivistët e ekstremit të djathtë të Trump, Nicholas Fuentes dhe Patrick Casey, të cilët morën mijëra dollarë në fonde potencialisht të lidhura me aktivitetin e paligjshëm dhe sulmin në Kapitol.

Protestat e dhunshme të 6 janarit në Capitol Hill.

Thirrjet e reja që kërkojnë dokumente dhe dëshmi nga Fuentes dhe Kejsi sugjerojnë se paneli po i afrohet më shumë burimit të financimit për mitingjet që i paraprinë sulmit në Kapitol dhe planet e koordinuara të udhëtimit të mijëra protestuesve pro-Trump.

Kongresmeni, Bennie Thompson, kryetari i komitetit të përzgjedhur, tha se hetuesit e Dhomës së Përfaqësuesve janë të interesuar për çiftin, pasi ata ishin të përfshirë ngushtë në transferimin e parave rreth sulmit të Kapitolit dhe ishin të pranishëm në ambientet e Kapitolit më 6 janar.

Komiteti i përzgjedhur tha në letrat e thirrjes se Fuentes dhe Kejsi udhëhoqën lëvizjen “America First” ose “Groyper” dhe shpallën gënjeshtra për mashtrimin e votuesve ndërsa kërkonin të ndalonin certifikimin e fitores zgjedhore të Joe Biden dhe t’i jepnin Trump një mandat të dytë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore