Lajme

Gjykata e Lartë e SHBA-ve kërkon që Trump-i të dorëzojë deklaratën tatimore


Deri më tani, ish-presidenti amerikan Donald Trump është përpjekur mos t’i bëjë publike deklaratat tatimore.

Kështu, Gjykata e Lartë ka vendosur që këto dokumente do të duhet t’i dorëzohen nga Departamenti i Thesarit Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është përpjekur të ketë akses në to për katër vjet.

Gjykata, duke ngrirë përkohësisht dorëzimin e tyre me një vendim të 1 nëntorit të kaluar, i ofroi një fitore të përkohshme ish-presidentit.

Kurse ai vetë e ka përkufizuar hetimin e ngritur ndaj tij “gjueti shtrigash” dhe është përpjekur ta ngadalësojë.

Gjatë 40 viteve të fundit, çdo president i ka bërë publike taksat përpara se të kandidojë për president, përveç Trump-it.

Gjyqtarët, kryesisht konservatorë dhe tre prej të cilëve u zgjodhën nga vetë Trump-i, vendosën që deklaratat e tij tatimore nga viti 2013 deri në vitin 2018 duhet të dorëzohen .

Tani fillon numërimi mbrapsht.

Komisioni ka kohë deri më 3 janar për të shqyrtuar dosjet, të cilat do t’i marrë të hënën e ardhshme, pas së cilës Dhoma e re me shumicë republikane sapo të zgjidhet në zgjedhjet afatmesme do të marrë detyrën dhe do ta mbyllë çështjen.

Por edhe nëse nuk arrijnë ta mbyllin hetimin, demokratët mund ta bëjnë publik informacionin tatimor të tij .

Ndërsa një tjetër humbje për Trump-in vjen nga një gjykatë apeli në Atlanta.

Duhej të vendoste për shkeljen e pretenduar të të drejtave të tij nga Departamenti i Drejtësisë, kur dokumentet top-sekret që ai kishte marrë nga Shtëpia e Bardhë dhe i kishte çuar në Florida u kërkuan.

Të tre gjyqtarët e gjykatës së apelit dukeshin të prirur për ta refuzuar vendimin e gjyqtares Aileen Cannon, e cila në shtator kishte pranuar kërkesën për të caktuar një avokat special të pavarur për shqyrtimin e konfiskimin.

Po ashtu gjyqtarët refuzuan përdorimin e fjalës “bastisje” nga avokatët e ish-presidentit dhe theksuan se nuk është faji i autoriteteve që janë marrë dokumentet personale të ish-presidentit.

Kjo pasi ishte ai që i ngatërroi me ato të marra në Shtëpinë e Bardhë.

Trump-i, i cili kandidon sërish për Shtëpinë e Bardhë për vitin 2024, është përfshirë në hetime të shumta.

Nuk është hera e parë që ai është në telashe të ngjashme.

Por duket se ai është mësuar t’i kthejë sulmet kundër tij në mjete për të mobilizuar bazën e tij.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore