Gjykata e Lartë dërgon për rishqyrtim çështjen e dy ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë

Gjykata e Lartë prish vendimin e Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj dy ish-drejtorëve
SHFLETO
Sadiola Xhelili
27.09.2024 16:05
Loading Icons...

Gjykata e Lartë ka prishur vendimin e Apelit të Posaçëm që la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj dy ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë.

Një vendim, ky i fundit, i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë në 3 maj të këtij viti.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosën dërgimin e çështjes për rishqyrtim po në këtë gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese.

Gjyqtarët sakaq nuk kanë mbajtur të njëjtin qëndrim për Taulant Tushen, i cili ka akuzë më të lehtë se dy ish-drejtorët e tjerë.

Vendimi i mëparshëm u ankimua në Gjykatë të Lartë nga Redi Molla dhe Mariglen Qato, të cilët prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit për dosjen “5D”.

Po ashtu edhe nga Tushe, Julian Zanaj dhe Eglantina Zere.

Referuar vendimit të fundit, Gjykata e Lartë ka vendosur lënien në fuqi të vendimit nr. 18, datë 03.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për personin nën hetim Taulant Tusha.

Gjithashtu prishjen e vendimit nr. 18, datë 03.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për personat nën hetim Redi Molla, Mariglen Qato dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë, me tjetër trup gjykues.

Sakaq, nga Prokuroria e Posaçme SPAK, dy ish-drejtorëve të Bashkisë Tiranë iu shtua një tjetër akuzë.

Klodian Braho, prokurori i çështjes, i ka shtuar akuzën “Pastrim parash” Redi Mollës dhe Mariglen Qatos.

Mësohet se në seancën e kësaj të hënë të 23 shtatorit është komunikuar edhe kjo akuzë e re për ta dhe avokatët e tyre. Seanca u zhvillua në orën 10.00.

Nga ana tjetër, për Taulant Tushen, mësohet se është kërkuar zgjatja e afatit hetimor me tre muaj. Kërkesa kjo, e cila u pranua nga gjykata.

SPAK, më 2 korrik të këtij viti, i komunikoi akuzat “Korrupsion pasiv” dhe “Mosdeklarim të pasurisë” Mollës dhe Qatos, kurse Tushes i komunikoi akuzën “Shkelje e barazisë në tendera”.

Të- tre u arrestuan në muajin mars të këtij viti me urdhër të SPAK, në kuadër të hetimeve për dosjen “5D”.

Ata u lanë në masën “arrest në burg”, ndërsa pesë persona të tjerë në masën “detyrim paraqitje” – Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Kecci dhe Englatina Zere.

Qato dhe Molla – referar SPAK-ut – janë pronarë de facto të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera pranë bashkisë.

Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohorë të gjashtë viteve, nga viti 2016 deri në vitin 2022.

Kompania njihet dhe me dy emra të ndryshëm “Igor Electric” dhe “Vas construcion”.

Sakaq, Mollës dhe Qatos me akuzën e re u zgjatet afati hetimor edhe një vit, ndërsa Tushes i përfundon pas tre muajsh.

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar më parë një kërkesë Redi Mollës, i cili kërkonte që të hiqej sekuestro e celularit të bashkëshortes së tij, pasi ai vetë ra në rrjetën e SPAK për një aferë korruptive, së bashku me drejtues të tjerë të lartë të Bashkisë Tiranë.

Togat e zeza me relatore Rudina Pallojin nuk i pranuan ish- drejtorit të Ujësjellësit në Bashkinë e Tiranës, Redi Mollës për heqjen e sekuestros mbi një telefon të bashkëshortes së tij, masë e caktuar në kuadër të dosjes “5D”.

Gjykata e rrëzoi kërkesën e ish-drejtorit për kthimin e aparatit telefonik. Redi Molla është ish-drejtori i Bashkisë së Tiranës dhe njëherësh sipas SPAK një nga pronarët de fakto të kompanisë “5D konstruksion”.