Lajme

Gjykata e Apelit konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj kryetarit të Malishevës


Ish Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj

Gjykata e shkallës së dytë e ka lënë në fuqi, vendimin e gjykatës së shkallës së parë, në rastin e ish kryetarit të Komunë së Malishevës, Ragip Begaj. Ky i fundit u akuzua për korrupsion, aktakuzë kjo e cila u konfirmua edhe nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga ajo e Apelit.

Ai akuzohet se me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës me rastin e ndërtimit të një shkolle në fshatin Drenoc, raporton “Betimi për Drejtësi’.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Begaj, avokatit Emrush Kastrati.

“Gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuat për hedhjen e aktakuzës është kujdesur që pretendimet nga kundërshtimet t’i vlerësoj dhe në mënyrë të drejtë ka dhënë arsye të mjaftueshme se aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se i pandehuri Ragip Begaj në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Malishevës ka kryer veprën penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1”, thuhet në vendimin e Apelit.

Ndryshe, vendimin për konfirmimin e aktakuzës në shkallë të parë e kishte marr gjykatësja e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani.

Gjatë seancës fillestare të mbajtur më 5 gusht 2021, Begaj kishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 7 prill 2021, Ragip Begaj po ngarkohet se më 6 korrik 2018 e në vazhdimësi, në cilësinë e personit zyrtar, respektivisht si kryetar i Komunës së Malishevës, me dashje dhe duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij, duke i shkaktuar dëm Rexhep Rudit dhe buxhetit të Komunës së Malishevës.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Begaj, më 7 nëntor 2018, ka caktuar lokacionin për ndërtimin e shkollës në fshatin Panorc, ku i kishte premtuar të dëmtuarit që të hyjë në marrëveshje për shkëmbimin e tokës me qëllim të ndërtimit të kësaj shkolle.

Siç thuhet në aktakuzë, një pjesë e objektit të kësaj shkolle ishte planifikuar të ndërtohej në pronë private, në kundërshtim me vendimin e Kuvendit Komunal të 4 majit 2018, i cili vendim kishte për qëllim që të ndërtohej aneks i shkollës “Visar Krasniqi” në fshatin Drenoc të Malishevës, i cili aneks nuk ishte ndërtuar asnjëherë.

Po ashtu, i njëjti po ngarkohet se në tetor të vitit 2018 kishte nxjerrë aktvendim për bartjen e mjeteve financiare nga një program në tjetrin, në kundërshtim me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Sipas aktakuzës, mjetet financiare nga kodi investime kapitale pa miratimin paraprak të MF-së i ka bartur në kodin mallra dhe shërbime e pastaj këto mjete i kishte përdorur për pagesën e detyrimeve financiare të komunës ndaj personave të tretë pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Për këto veprime, Ragip Begaj po ngarkohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal lidhur me nenin 81, ku dënimi parashihet me burg prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore