Lajme

Gjykata cakton një muaj paraburgim për të arrestuarit në rastin ‘Brezovica’


Gjykata Themelore në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, e ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për dhjetë personat e arrestuar më 21 dhjetor në rastin ‘Brezovica’.

Në mesin e tyre është edhe Bratisllav Nikolliç, ish – kryetar i Komunës së Shtërpcës dhe zyrtar i Listës Serbe.

“Kërkesën e Prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër dhjetë të dyshuarve, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftim.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i arsyeshëm se i pandehuri B.N., nga viti 2014 deri në tetor 2018, në Shtërpcë, si person zyrtar – Kryetar i Komunës së Shtërpcës.

Komuna e Shterpces

“Ka marrë para dhe dhurata në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim që të veprojë në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare për dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar ‘Sharri’, në zonën e tretë dhe të dytë të vikend-zonës në Brezovicë”.

Me këtë, dyshohet të ketë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Nikolliç dyshohet se ka përfituar deri në një milion euro për lejet e lëshuara kundërligjshëm për ndërtimin e objekteve në Brezovicë.

Aksioni në Shtërpcë: Vetura, armë e para, krejt çka konfiskoi policia

Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës, Departamenti i Krimeve Ekonomike, nën urdhrin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt,  të martën kanë zhvilluar një aksion në dymbëdhjetë lokacione të ndryshme në Kosovë, ku janë arrestuar dhjetë persona, të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit dhe ndotje e degradim të mjedisit.

Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se aksioni i cili ka filluar në ora 6:00 të mëngjesit, është zhvilluar në Brezovicë, Shtërpcë, Ferizaj dhe Prishtinë.

Disa objekte në Brezovicë, në Komunën e Shtërpcës.

“Gjatë një operacioni policor janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat e lartcekura. Me urdhëresë të gjykatës janë kontrolluar 12 lokacione të ndryshme”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë këtij aksioni, policia ka gjetur dhe konfiskuar para, armë, municion, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave dhe pajisje të ndryshme elektronike.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë bastisjes janë konfiskuar: një sasi e konsiderueshme para të valutave të ndryshme, armë të ndryshme, një sasi e municionit, vetura, aparat për prodhimin e kriptovalutave si dhe pajisje të ndryshme elektronike. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, bëri të ditur policia.

Brezovice, afer terrenit te skijimit

Kush tjetër u arrestua?

Pos Nikolliçit, Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, arrestoi edhe rreth dhjetë persona në Shtërpcë, mes të cilëve drejtorin e Urbanizimit dhe disa zyrtarë e pronarë ndërmarrjesh, bëri të ditur Prokuroria Themelore në Ferizaj.

Ata dyshohen për veprat penale: marrje dhe dhënie e ryshfetit, si dhe keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Aksioni i koduar “Brezovica”, sipas Prokurorisë në Ferizaj, është zhvilluar në 12 lokacione në rajonin e Ferizajt, Prishtinës dhe Shtërpcës. Sipas autoriteteve, tetë nga të arrestuarit janë nga rajoni i Ferizajt dhe dy nga i Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore