Lajme

Gjukanoviç: Zgjedhjet janë rrugëdalja e vetme nga kriza instiucionale


Milo Gjukanoviç

Rrugëdaljen e vetme nga paraliza e institucioneve malazeze, Milo Gjukanoviç, e sheh në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

“Ajo që definitivisht është në dispozicion, jo vetëm për presidentin, por edhe për një grup prej së paku 25 deputetësh, është ripërsëritja e iniciativës në parlament për shkurtimin e mandatit”, deklaroi presidenti i Malit të Zi në një intervistë për ‘Zërin e Amerikës’ në gjuhën serbe.

Kurse kërkesën e propozuar nga shumica e vjetër parlamentare për rishqyrtim të kandidatit për formimin e qeverisë së re, Gjukanoviç e ka vlerësuar si antikushtetuese.

“Idetë e propozuara nga shumica aktuale parlamentare – le të kthehemi te rishqyrtimi i kandidaturës së kandidatit të propozuar – janë padyshim antikushtetuese”.

Sa i përket dështimit të seancës për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, ai shpreson që ky të mos jetë qëndrimi përfundimtar i legjislativit.

“Ekziston mundësia që kjo iniciativë, të cilën e testova dje në parlament, të ripërtërihet”, theksoi ai, transmeton mediumi malazez ‘Dan’.

Ndryshe, deputetët e shumicës parlamentare së vjetër parlamentare, ‘Frontit Demokratik’ pro-rus, ‘Demokratët’ dhe Lëvizja Qytetare ‘URA’ kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit, Milo Gjukanoviç.

Në nismën për shkarkim thuhet se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën pasi siç pretendojnë ata, nuk i ka ftuar të gjithë përfaqësuesit e partive politike në konsultimet për formimin e qeverisë, e as Miodrag Lekiç-in, i cili sipas marrëveshjes së shumicës parlamentare, mori mbështetjen e 41 deputetëve për të qenë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.

Mirëpo, këtë kërkesë e kthyer mbrapsht Kryetarja e Parlamentit, Danijela Gjuroviç, e cila ka thënë se rregullorja e punës  nuk lejon që të shqyrtohet dy propozime njëherësh, por ato duhet të jenë të ndara.

“Propozimi i dorëzuar përmban fillimin e një procedure e cila, në kuptimin e saj procedural dhe juridik, ka dy faza dhe kërkon propozime të veçanta”.

Kryeparlamentarja ka theksuar se është e nevojshme të korrigjohet propozimi i paraqitur dhe të emërtohet si propozim për fillimin e procedurës për të parë nëse Gjukanoviç shkelur Kushtetutën, pastaj të paraqesë kërkesë për shkarkim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore