Lajme

Gjukanoviç vazhdon vizitën zyrtare në Kosovë


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, do ta vazhdojë vizitën zyrtare në Kosovës edhe këtë të enjte të 19 majit.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti malazez do të takohet dhe me përfaqësues të partive opozitare.

Gjukanoviç do të vizitojë bazën e KFOR-it, do të mbajë një ligjëratë në Kolegjin AAB dhe do të marrë pjesë në Forumin e Biznesit të organizuar nga Konsulli i Nderit i Malit të Zi në Kosovë.

Ai i shoqëruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrin pjesë edhe në manifestimin “Ditët e malazezëve në Kosovë” organizuar nga Shoqata e Malazezëve “Lovćen”, ku do t’u jepet fjala.

Të mekurën e 18 majit, Gjukanoviç, është pritur me nderime të larta shtetërore nga homologja e saj Vjosa Osmani, në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë.

Presidenti malazez në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me homologen e tij kosovare, Vjosa Osmani, ka treguar qëndrimin e Malit të Zi karshi iniciativës të Ballkanit të Hapur, i cili në një farë mënyrë nuk përkon me qëndrimin e kryeministrit malazez, Dritan Abazoviç, lidhur me këtë temë.

Në pjesën tjetër të konferencës për media, Gjukanoviç e Osmani kanë folur kryesisht për raportet e shkëlqyera që Mali i Zi e Kosova kanë si dy shtete fqinje. Përtej se miqësi, u tha se janë edhe “të bazuara në objektivat strategjike në mes të dy vendeve tona”.

Po ashtu, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim presidentin Gjukanoviç të enjten e 18 majit.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Bislimi ka thënë se të dy kanë diskutuar për Kosovën dhe të ardhmen e saj.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur në takim presidentin Gjukanoviç.

Në takim u diskutua për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore