Lajme

Gjukanoviç: Dyert e BE-së mund të mbyllen për Malin e Zi


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, ka deklaruar se dyert e Bashkimit Evropian mund të mbyllen për shkak të krizës në politikën malazeze tash e një kohë të gjatë.

“Mesazhet na thonë se ata mund të mbyllin dyert e BE-së për një afat të gjatë dhe kështu të rrezikojmë procesin e negociatave. Nuk janë ekzagjerime apo ndërhyrje në çështjet e brendshme”, theksoi Gjukanoviç, transmeton mediumi nga Podgorica “Pobjeda”.

Ai potencoi se BE-ja pret nga çdo vend kandidat të ketë një qeveri që respekton standardet dhe rregullat politike të Evropës.

“Mali i Zi e ka respektuar deri para disa vitesh dhe për këtë, jo vetëm që ka avancuar më së shumti, por ka qenë model shembullor për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe promovues i vlerave të BE-së”.

“Keni dëgjuar formulime konkrete se ky është alarmi i fundit përpara se BE-ja duhet të marrë masat që nënkuptohen kur dikush refuzon të respektojë standardet. Shpresoj që këto mesazhe t’i kuptojmë në mënyrën e duhur”, shtoi ai.

Duke komentuar njoftimin e njërit prej liderëve të “Frontit Demokratik (DF)”, Milan Knezheviç, se do të dorëzojë nënshkrimet e 41 deputetëve në mbështetje të Miodrag Lekiç’it për formimin e qeverisë së re, Gjukanoviç nënvizoi se mesazhet e BE-së për DF-në janë të qarta.

“Shpresoj që mesazhet e BE-së për DF-në të mos ju befasojnë. Kryeqyteti i tyre është Beogradi dhe presidenti i tyre është (Vladimir) Putin. Nëse do të ishte në dorën e tyre, negociatat për Malin e Zi do të zhvilloheshin në Beograd dhe Mali i Zi nuk do të ekzistonte”.

Mesazhe shqetësuese janë dërguar në Podgoricë nga shumë diplomatë evropianë dhe amerikanë, të cilët nuk e kanë fshehur shqetësimin për krizën politike, por edhe për pasojat me të cilat mund të përballet Mali i Zi në rrugën evropiane.

Ndryshe, shumica parlamentare, me votat e 41 deputetëve, miratoi për herë të dytë ndryshimet në Ligjin për Presidentin, pavarësisht opinionit të Komisionit të Venecias, i cili kërkoi që ligji të mos miratohej.

Deputetët e formacionit pro-rus dhe pro-serb “Frontit Demokratik”, “Demokratët”, dhe “URA” duan që presidenti Gjukanoviç të propozojë një përfaqësues për përbërjen e qeverisë së re ose ta përjashtojë atë krejtësisht nga ky proces.

Megjithatë, ai e ka nënshkruar të premten Ligjin e ndryshuar për Presidentin e Shtetit, por njoftoi se s’do ta thërras për konsultime Lekiç’in, pasi sipas tij, “nuk dëshiron të bëhet pjesë e akteve anti-kushtetuese”.

Ndërkaq, pavarësisht thirrjeve publike për zgjedhjen e gjyqtarëve, përfaqësuesit e partive parlamentare nuk kanë arritur ende tek konsensusi dhe të zgjidhnin të paktën një gjyqtar, për të zhbllokuar gjykatën.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese është pa kuorum për vendimmarrje që nga mesi i shtatorit të këtij viti, madje edhe nëse së shpejti shpallet konkursi i ri për gjyqtarë, Mali i Zi edhe në vitin e ardhshëm mund të hyjë me një Gjykata Kushtetuese jofunksionale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore