Lajme

Gjukanoviç dhe Abazovic pajtohen për formimin e një grupi ekspertësh për vlerësimin e marrëveshjes me Kishën Ortodokse Serbe


Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç dhe Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç

Nga takimi konsultues mes presidentit dhe kryeministrit të Malit të Zi u konkludua që të formohet një ekip ekspertësh për të vlerësuar tekstin bazë të së ashtuquajturës “Marrëveshje Themeltare” me Kishën Ortodokse Serbe.

Marrëveshja e miratuar me këtë institucion kishtar që qeverisë së Dritan Abazoviç ia humbi mbështetjen e plot 29 deputetëve të Partisë Demokratike të Socialistëve, do të vlerësohet nga komuniteti shkencor dhe profesional, përkatësisht qëndrueshmëria ligjore dhe kushtetuese e saj.

Sipas burimeve të medias “AntenaM”, ekipi vlerësues i ekspertëve do të formohet “shumë shpejt”, “dhe dilemat ekzistuese do të zgjidhen brenda dhjetë ditëve pasi ekipi do të formohet”.

Abazoviç dhe Gjukanoviç, dolën me një deklaratë të përbashkët për media, gjë që është e pazakonshme, marrë parasysh rivalitetin e kahershëm dhe papajtueshmërinë politike të këtyre figurave me orientime të ndryshme.

“Teksti i bazë i Marrëveshjes Themeltare me KOS-në do të hedhet në rishikim edhe një herë, për t’iu nënshtruar vlerësimit të publikut profesional dhe shkencor”, u tha të martën në komunikatën e përbashkët të dy liderëve.

Gjukanoviç thërret për kujdes të madh në çfarëdo marrëveshje mes Malit të Zi dhe Kishës Ortodokse Serbe – “Kemi të bëjmë me një entitet që historikisht mohon vlerat tona më të larta

Me të miratuar draft-tekstin e traktatit, DPS-ja e Gjukanoviçit u shpreh se “qeveria ka tradhtuar mandatin e saj”, atë të përshpejtimit të proceseve integrative evropiane, duke miratuar një marrëveshje për të cilën nuk ka mandat.

Madje edhe vetë presidenti në një konferencë për media ditë më parë tha se kryeministri kishte premtuar që draft-kontratën me kishën serbe do ta hedhtë në diskutim “e jo në votim”, duke iu referuar kështu tejkalimit të pritshmërive.

Abazoviç, në anën tjetër argumenton se kjo marrëveshje me kishën serbe ka me dhjetëra vite që është bërë “kancerogjene” në shoqërinë malazeze, dhe se ajo duhet të zgjidhet. “Ata që duan që kjo gjë të mbes peng, po llogarisin që në zgjedhjet e ardhshme matrica politike të konstituohet e atillë mes bllokut malazez dhe atij serb”, ishte shprehur ai.

Megjithëkëtë, edhe vetë ambasadorët e QUINT-it në Podgoricë, në mënyrën më diplomatike të mundshme janë shprehur se qeveria e pakicës së Dritan Abazoviç ka mandat dhe mbështetje koncensuale për të shtyrë para temat që kanë të bëjnë me negociatat me BE-në dhe jo të mirret me çështje që bllokojnë vendin politikisht si ajo e marrëveshjes me kishën serbe.

Çështja (aspak) fetare mes Kishës Ortodokse Serbe dhe Malit të Zi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore