Lajme

Gjukanoviç: Abazoviç s’e mbrojti pavarësinë, ndihmoi që të ndodhte aneksimi i Malit të Zi


Milo Gjukanoviç

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se është e nevojshme të ndalet sa më parë “agonia” në të cilën po kalon Mali i Zi, ndërsa shtoi se fitorja e kryeministrit Dritan Abazoviç, në zgjedhjet e vitit 2020, u perceptua nga kundërshtarët e Malit të Zi si një “derë e hapur për aneksim”.

“Kundërshtarët e Malit të Zi dhe përkrahësit e nacionalizmit të shteteve të mëdha në rajon e kuptuan fitoren në zgjedhjet e vitit 2020 si një derë të hapur për një aneksim të ri. Ky aneksim nuk ndodhi, jo sepse Mali i Zi mbrohej nga qeveritë e Krivokapiç-it dhe Abazoviç-it. Përkundrazi, të dy ndihmuan që të ndodhte aneksimi”, tha ai.

Presidenti Gjukanoviç, fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme presidenciale që do të mbahen më 19 mars, e ka nisur me premtimin se gjatë mandatit të ardhshëm, vendi i tij do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“Jam i bindur se Mali i Zi mund të bëhet anëtar i BE-së në mandatin tim të ardhshëm si President i Malit të Zi. Jam i bindur se me atë që kemi bërë deri më tani, kemi ecur shumë më përpara se të gjithë kandidatët e tjerë në rajon”, vlerësoi Gjukanoviç.

Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Malin e Zi, më shumë se 30 vite më parë, presidenti Gjukanoviç me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) ka qenë i pakontestueshëm në politikën malazeze, prandaj theksoi se asnjëherë nuk ka hyrë në asnjë betejë politike pa qenë i sigurt se mund të fitojë.

“Duhet të fitojmë zgjedhjet presidenciale, sepse në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, nëse hyjmë nga pozicioni i fituesit, do të garantojë që DPS të ruajë statusin e partisë më të fortë”, tha Gjukanoviç.

Gjukanoviç është zgjedhur për herë të parë president më 1997 dhe këtë post e ka ushtruar deri më 2003. Ai po ashtu fitoi mandatin e dytë si president në zgjedhjet e prillit të vitit 2018. Ai ka udhëhequr lëvizjen për pavarësinë e Malit të Zi në vitin 2006.

Gjatë mandatit të tij si president, ka nisur procesi i anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, ndërkaq në kohën sa ishte kryeministër, shtetin e tij më 2017 e bëri anëtare të NATO-s.

Në mënyrë që një kandidat të fitojë në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ai duhet të marr mbi 50 për qind të votave, kurse nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i fiton më tepër se gjysmën e votave, raundi i dytë i zgjedhjeve mbahet pas dy javësh.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore