Lajme

Gjukanoviç: Abazoviç është kontraktor i Serbisë së Madhe dhe Rusisë Perandorake


Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanovic, ka reaguar pasi që Kuvendi nuk e ka miratuar agjendën për të diskutuar në lidhje me propozimin e tij për shkurtimin e mandatit të legjislativit.

Ai në një konferecë për media ka kritikuar ashpër kryeministrin me mandat teknik, Dritan Abazoviç, për të cilin tha se është “kontraktor” i Serbisë dhe Rusisë në shërbim të nacionalizmin serbomadh.

“Ata që nuk duan të mirën për Malin e Zi duan paralizën institucionale, prandaj asnjë nga 18 kandidatët për Gjykatën Kushtetuese nuk u zgjodh për të vërtetuar tezën e nacionalizmit serbomadh dhe se Mali i Zi duhet të kthehet në përbërjen e ‘Serbisë së Madhe’, që është dëshirë edhe e Rusisë perandorake edhe e Serbisë. Është e qartë se ata kanë një kontraktor, dhe ai është kryeministri aktual”, ka deklaruar Gjukanoviç, transmeton mediumi malazez ‘Vijesti’.

Ndërkaq, duke folur para gazetarëve, kreu i shtetit theksoi se legjislativi duhet të mbahet përgjegjës për paralizën institucionale në Malin e Zi.

“Ai afat u shpenzua për shkak të lojërave politike të disa partive nga shumica parlamentare në vitin 2020. Ajo që ata bënë një ditë më vonë është ajo që mund të bënin një ditë më parë. Kam paraqitur një iniciativë për shkurtimin e mandatit në Kuvend dhe me këtë i kemi shterur mundësitë kushtetuese”.

Ndryshe, deputetët e shumicës parlamentare, Frontit Demokratik pro-rus, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA e udhëhequr nga Abazoviç kanë nisur në Kuvendin e Malit të Zi, më 23 shtator, procedurën për shkarkimin e presidentit.

Ata pretendojnë se Gjukanoviç ka shkelur Kushtetutën gjatë procedurës për emërimin e mandatarit për formimin e qeverisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore