Lajme

Gjorgjeviç: Qëllimi i përfundimtar i protestave në Serbi duhet të jetë dorëheqja e Vuçiçit


Presidenti i Lëvizjes Oslobodjenje, Mladjan Gjorgjeviç

Presidenti i Lëvizjes Oslobodjenje, Mladjan Gjorgjeviç, u ka bërë thirrje qytetarëve të Serbisë që të dalin në protesta në numër edhe më të madh se të shtunën dhe theksoi se protestat nuk duhet të ndalen pasi sipas tij “qëllimi përfundimtar i të gjitha protestave duhet të jetë dorëheqja e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç.

“Edhe nëse e largojmë Rio Tinton, kjo qeveri e pabesë do t’i sjellë kinezët ose gjermanët që nesër të gërmojnë litium dhe të ndotin përsëri Serbinë,” tha Gjorgjeviç, raporton gazeta serbe Nova.rs.

“Të gjitha problemet në Serbi, krimi, korrupsioni, tradhtia e Kosovës, tradhtia e Republikës Srpska, institucionet e kapura dhe mediat jo të lira, ndotja ekstreme – të gjitha janë rezultat i majës së piramidës kriminale, Aleksandar Vuçiç. Që Serbia të çlirohet duhet të largohet”, ka thënë Gjorgjeviç.

Ai theksoi se “populli rebel nuk duhet të ndalet derisa të dalë në zgjedhje dhe që kjo të ndodhë, Vuçiç duhet të largohet”.

“Ne sot nuk kemi zgjedhje të lira dhe nuk i kemi që nga viti 2012. Vuçiç nuk fitoi kurrë zgjedhje të lira. Ju kujtoj, në vitin 2012, Nikoliçi fitoi në emër të Partisë Përparimtare Serbe dhe më pas filluan rrahjet, xhipat e zinj dhe shantazhet e votuesve”, theksoi Gjorgjeviç.

Sipas tij, zgjedhjet e ardhshme në prill të vitit të ardhshëm “do të mbahen në mënyrë të ngjashme”.

“Çfarë të presësh nga partia që dërgon ekskavatorë dhe kriminelë me çekiç në popull. Nga ata që janë gati ta çojnë vendin në prag të konflikteve civile, duke dërguar banditë dhe huliganë te populli i tyre. Nuk ka zgjidhje me të tilla. Prandaj, më 3 prill nuk do të ketë”.

Gjorgjeviç kujtoi se Lëvizja Oslobodjenje nuk do të shkojë në zgjedhje “në ato kushte, sepse mafia nuk do të organizojë kurrë zgjedhje që mund t’i humbasë”.

“Vetëm kur të largojmë mafien nga pushteti dhe të çlirojmë vendin, mund të flasim për zgjedhje të lira. Deri atëherë – mosbindje civile”, shtoi Gjorgjeviç.

Protestat të cilat u zhvilluan të shtunën paralelisht në shumë qytete serbe janë mbështetur edhe nga partitë opozitare serbe si shenjë e pakënaqësive për miratimin e referendumit për ndryshime kushtetuese dhe dëmet ekologjike dhe shpronësime.

Protesta në Serbi

Kërkesa e organizatorëve ishte që qytetarët të bashkohen, por tubimi të jetë paqësore dhe “të mos bien pre e provokimeve që priten nga mbështetësit e pushtetit”.

Ministri i Policisë në Serbi, Aleksandër Vulin, ka njoftuar se policia do të ndërhyjë, nëse është e nevojshme, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç këshilloi policinë të tërhiqet, të lejojë bllokada dhe të mos reagojë derisa të kërcënohen jetët, pronat dhe institucionet.

Vuçiç njoftoi gjithashtu se do të ecë nëpër Serbi gjatë bllokadës dhe do të jetë së paku në pesë postblloqe. Sipas raportimeve, të mediumeve të lira serbe, ka edhe të lënduar në protesta.

Gjithashtu, nëpër rrjetet sociale janë shfaqur pamje të të lënduarve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore