Shqipëria

Gjonaj: Ringrihet Komisioni për Ekzekutimet e vendimeve penale


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka publikuar në profilin e saj në “Twitter” lajmin për ringritjen e Komisionit të Ekzekutimit të vendimeve penale.

“Ky Komision”, sipas Gjonajt, “do të shërbejë për rritjen e transparencës dhe koordinimin e të gjitha institucioneve që ndjekin ekzekutimin e vendimeve penale”.

Ministrja shton se komisioni shërben si një mekanizëm kombëtar për trajtimin e ankesave, kryerjen e verifikimeve të nevojshme, monitorimin e punës së IEVP-ve dhe çdo problematike në to, duke trajtuar me përparësi çdo çështje dhe informuar Ministrinë e Drejtësisë.

Komisioni i pavarur nga Ministria e Drejtësisë ka përfaqësues të kryeministrit, Kuvendit, Presidencës, Prokurorisë së Përgjithshme, Dhomës së Avokatisë dhe ministrive përgjegjëse për drejtësinë, arsimin, financat e shëndetësinë.

Ajo shpjegon se roli i Komisionit është mjaft i rëndësishëm në aspektin procedurial të ekzekutimit të vendimeve penale, në bashkërendimin e punës për politikat penitenciare dhe zbatimin e tyre me organizmat monitorues si Komiteti i Parandalimit të Torturës, Avokati i Popullit etj.

Gjithashtu sipas dokumentit të publikuar një kriter i rëndësishëm lidhet me pastërtinë e figurës.

“Anëtarët përveçse të jenë shtetas shqiptarë, duhet që të mos kenë masa disiplinore në fuqi dhe të kenë qenë dënuar më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale”.

Në kritere gjithashtu kërkohet që të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit përpara 2 korrikut 1991, në kuptim të legjislacionit në fuqi për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Për sa i përket kritereve profesionale kërkohet që anëtarët të zotërojnë diplomë të ciklit të dytë, të studimeve të larta në drejtësi ose shkenca sociale.

“Në kontrollin e pasurive, kandidatëve u kërkohet që në kohën e caktimit në detyrë, të mos kenë asnjë anëtar të familjes, sipas kuptimit të legjislacionit në fuqi për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë, si dhe të afërm të shkallës së parë që janë punonjës në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve ose në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore