Shqipëria

Gjonaj e nis nga gratë programin e punësimit në burgje


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, çel programin e punësimit për personat e paraburgosur dhe të dënuar në një takim me gratë në burgun 325.

Përmes një postimi në platformën Twitter, ministrja ka theksuar faktin se ky program vjen për herë të parë dhe se shënon “një kapitull të ri” në sistemin e burgjeve.

“Është një moment shumë i rëndësishëm sepse ne po fillojmë të materializojmë, të jetësojmë, për herë të parë në 30 vjet, programin e punësimit të koordinuar, të menaxhuar dhe njëkohësisht të parashikuar nga ligji për të gjithë personat e dënuar dhe të paraburgosur”, shprehet Gjonaj.

Ajo ravijëzon se ndryshe nga më parë, kur ende nuk kishte hyrë në fuqi ligji i ri, si pjesë e paketës së reformës në sistemin e burgjeve, ka qenë vetëm mundësia për të punuar dhe jo mundësia për t’u paguar.

Gjonaj ka bërë me dije se përfitueset e para të këtij programi do të jenë 20 gra të dënuara.

Për të, zbatimi i programit të ri mundëson që të paraburgosurit dhe të dënuarit jo vetëm të rrisin kapacitetet profesionale përmes trajnimeve, por edhe të përfitojnë financiarisht pagesën që parashikohet nga ligji.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore