Aplikacione

Gjobë prej 500 milionë euro kundrejt Google-it në Francë


Në Francë, rregullatori i konkurrencës ka njoftuar se ka gjobitur kompaninë teknologjike, Google, me 500 milionë euro mbi dështimin për të negociuar në mirëbesim me botuesit francezë në një mosmarrëveshje rreth pagesave për lajmet e tyre.

Agjencia e lajmeve, Abc News, tregon se vëzhguesi francez e ka kërcënuar Google-in edhe me një gjobë tjetër prej 900 mijë euro nëse kompania nuk del me propozime brenda dy muajsh se si do të kompensojë botuesit.

Nga ana tjetër, Google-i i Francës ka thënë në një deklaratë se ishte “shumë i zhgënjyer” nga vendimi dhe se gjoba “nuk pasqyron përpjekjet e bëra ose realitetin e përdorimit të përmbajtjes së lajmeve në platformën tonë”.

Gjithashtu ka zbuluar se po negocion me mirëbesim drejt një zgjidhjeje dhe se është në prag të arritjes së një marrëveshje me disa botues.

Abc News tregon se mosmarrëveshja është pjesë e një përpjekje më të madhe nga autoritetet në Bashkimin Evropian dhe në të gjithë botën për të detyruar Google-in dhe kompani të tjera të teknologjisë të kompensojnë botuesit për përmbajtjen.

Edhe vitin e kaluar, mbikëqyrësi francez ka nxjerrë urdhra të përkohshëm në drejtim të Google-it për të zhvilluar bisedime brenda tre muajsh me botuesit e lajmeve dhe ka gjobitur kompaninë për shkeljen e atyre porosive.

“Kur autoriteti vendos urdhra për ndërmarrjet, atyre u kërkohet t’i zbatojnë ato me përpikëri. Në rastin aktual, për fat të keq nuk ishte kështu”, ka thënë presidentja e vëzhguesit, Isabelle de Silva.

Ajo ka vijuar se “negociatat e Google-it me botuesit dhe agjencitë e shtypit nuk mund të konsiderohen se janë kryer me mirëbesim”.

Detyrimi ndaj kompanisë që të negociojë me botuesit francezë ka ardhur pasi një gjykatë vitin e kaluar la një urdhër duke thënë se marrëveshje të tilla kërkoheshin nga një direktivë e Bashkimit Evropian për të drejtat e autorit e vitit 2019.

Dhe Franca ishte e para nga 27 vendet e bllokut që miratoi direktivën, e cila përcakton një mënyrë për botuesit dhe kompanitë e lajmeve për të arritur marrëveshje licencimi me platforma në internet.

Në mënyrë të përsëritur, Google-i ka qenë në shënjestër nga autoritetet franceze dhe ato të Bashkimit Evropian për aktivitete të ndryshme të biznesit që shihen si abuzim i dominimit të saj në treg.

Këtu përfshihet edhe një gjobë prej 220 milionë eurosh që vëzhguesi francez i konkurrencës lëshoi ​​për kompaninë gjatë muajit të kaluar për abuzimin e ‘pozitës së saj dominuese’ te reklamat në internet.

Ndërkohë që në Australi, Google-i dhe Facebook-u kanë nënshkruar marrëveshje licencimi me kompanitë e lajmeve pasi qeveria miratoi një ligj këtë vit, i cili kërkon që gjigantët digjitalë të paguajnë për lajmet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore