Lajme

Gjoba për italianët që shpërdorojnë ujin mes thatësirës


Në disa qytete veriore të Italisë, njerëzit po përballen me gjoba për shpenzim të ujit teksa kryebashkiakët racionalizojnë furnizimet në mes të një thatësire të madhe.

Në 65 vitet e fundit, Italia ka pasur një nga dimrat më të thatë me reshje 80 për qind më të ulëta se mesatarja sezonale.

Situata ka qenë më e mprehtë në rajonet veriore, ku disa zona janë privuar nga reshjet e konsiderueshme prej tre muajsh.

Ndërsa lumi më i gjatë i vendit ndodhet në nivelin më të ulët të regjistruar në dimër që nga viti 1972.

Kryebashkiakët kanë përfshirë masa për racionimin e ujit, duke filluar nga mbyllja e shatërvanëve dhe kufizimet gjatë natës për ujin e rubinetit.

Masat shkojnë deri te ndalimi i përdorimit të ujit për kopshte, për larjen e makinave dhe mbushjen e pishinave.

Sakaq, gjoba deri në 500 euro janë vendosur për ata që mendohet se shpërdorojnë furnizimet.

“Nuk mbaj mend ndonjëherë një situatë të tillë në dimër. Nuk kemi pasur shi që nga 8 dhjetori”, ka treguar  Francesco Pietrasanta, kryebashkiaku i Quarona-s.

“Ka probleme me puset e ujit, disa zona është dashur të furnizohen me depozita uji. Rregulli është që uji të përdoret vetëm për nevoja reale, si për shembull për arsye higjienike ose ushqimore”, ka vijuar ai.

Verën e kaluar, thatësira dimërore pasoi një valë të nxehti intensive dhe të zgjatur në të gjithë Italinë.

Në gusht, Siracusa në Siçili besohet se ka thyer rekordin evropian për temperaturën më të lartë kur regjistroi një shifër prej 48.8 gradë celsius.

Reshjet e borës kanë qenë gjithashtu nën mesataren këtë dimër.

Prej kohësh, shkencëtarët kanë parashikuar se kriza klimatike dhe ngrohja globale do të çonin në mot më të shpeshtë ekstrem.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore