Shqipëria

GJKKO rrëzon për të tetën herë radhazi ndryshimin e masës për ish-gjyqtaren e Krujës/ Hoxha qëndron në burg


Gjykata e Posaçme Kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të martën e 14 shtatorit ka rrëzuar për herë të tetë kërkesën për masë më të butë sigurie për ish-gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha.

Hoxha prej kohësh ka kërkuar lehtësim të masës për shkak të gjendjes shëndetësore të fëmijëve dhe babait të saj.

Përveç djalit i cili vuan nga sëmundja e autizmit dhe vajza e saj e mitur për shkak të situatës ka shfaqur gjendje të rënduar të shëndetit psikologjik.

Edhe pse avokati i Hoxhës shfaqi para Gjykatës akt ekspertizën mjekësore të vajzës së ish-gjyqtares, përsëri u hodh poshtë.

Si përfundim GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën “arrest me burg” për Hoxhën.

Shtatë ishin kërkesat që Gjykatat refuzuan ndryshimin e masës për ish-gjyqtaren Hoxha. Gjykatat e Apelit e ka refuzuar tre herë radhazi, ndërsa ka pasur dhe katër të tjera në Shkallën e Parë.

Kujtojmë se gjyqtarja Hoxha operonte në Gjykatën e Krujës. Ajo është arrestuar dhe pezulluar nga detyra më 11 shkurt.

Arrestimi i saj ka ardhur pasi, nga hetimet disa mujore të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), rezultoi se ajo kishte liruar nga burgu persona të njohur të botës së krimit kundrejt miliona eurove në shkëmbim të lirisë.

Gjatë sekuestrimit në shtëpinë e saj u gjetën 9 mijë dollarë.

Hetimet e SPAK-ut nxorën zbuluar dhe avokatin Aldo Tabaku dhe tetë punonjës të tjerë të Gjykatës së Krujës.

Vendimi i SPAK-ut

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), të mërkurën e 11 gushtit përfundoi hetimet paraprake për Hoxhën dhe nëntë bashkëpunëtorët e saj.

Hoxha akuzohet për veprën penale, “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim.

Aldo Tabaku, me detyrë avokat në dhomën e avokatisë Krujë, akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Manuela Mallkuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, akuzohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Bledar Petani, Sajmir Petani dhe Altin Skëndaj akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Gazmir Nezaj akuzohet për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim.

Gentjan Nezaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore