Shqipëria

GJKKO: Dy gjyqtare dhanë dorëheqjen për “çështjen Tahiri”, zgjidhet anëtarja e trupës gjykuese


Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mesditën e 17 dhjetorit ka bërë me dije se gjyqtare për çështjen ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, do jetë Igerta Hysi.

Kjo ka ardhur pasi dy gjyqtare dhanë dorëheqjen – Miliana Muça paraqiti aktin e heqjes dorë nga çështja, për faktin se është shprehur më parë duke qenë gjyqtare e seancës paraprake dhe Ilirjan Olldashi.

Data për tu mbajtur seanca është planifikuar për më 20 dhjetor 2021. Trupi gjykues do të jetë i përbërë nga kryetarja Daniela Shirka dhe anëtar Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi.

Çështja “Tahiri” u regjistrua në këtë gjykatë më 26 nëntor. Më parë ishte në ngarkim të Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit zbardhi vendimin për çështjen e ish-ministrit, ku u argumentua se ka pasur shkelje proceduriale gjatë gjykimit të tij dhe ish-drejtorit Jaeld Çelës.

Gjykata vendosi prishjen e vendimit të datës 26 qershor 2020-të të Apelit të GJKKO-së dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me një tjetër trup gjykues.

Apeli i Posaçm, në vendimin e saj, asokohe tha se janë shkelur dispozitat për paraqitjen e akuzave të reja, e lidhur kjo edhe me mosrespektimin e dispozitave për ushtrimin e ndjekjes penale nga prokurori.

Gjithashtu u vendos rrëzimi i kërkesës së të gjykuarit Jaeld Çela për zëvendësimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”.

Sipas trupës gjykuese, gjyqtarja Albana Boksi ishte në konflikt interesi, pasi ka shqyrtuar çështjen e Taulant Haxhiraj në një procedim të lidhur, duke nënkuptuar kështu se trupa gjykuese kishte në përbërje gjyqtarë që nuk mund të merrnin pjesë në gjykim.

Saimir Tahiri dhe ish-kreu i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, u shpallën fajtorë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”.

Ish-ministri u dënua me tri vite shërbim prove, ndërsa Jaeld Cela me tre vite e katër muaj burg.

Në nëntor të vitit 2017, Prokuroria e akuzoi Çelën se, në bashkëpunim me Tahirin, ndihmonin bandën e Habilajve për të trafikuar drogë.

Çela u vetëdorëzua në polici në maj të vitit 2020 – pas dy viteve në arrati. Ndërsa akuzohej për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike”, “Trafikim i bimëve narkotike” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Gjykata e Krimeve të Rënda rëndoi ndaj Çelës vetëm akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe e dënoi atë me 3.4 vite burgim.

Nga ana tjetër, ish-ministri u dënua vetëm me tre vite shërbim prove nën akuzën e rikualifikuar të “shpërdorimit të detyrës”.

Ndonëse i shpëtoi qelisë, ku Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dërgonte për tri akuza të tjera të rënda, për Tahirin u vendos gjithashtu që, për të paktën disa vite, të qëndronte jashtë jetës politike.

Ky vendim i Prokurorisë u apelua nga Tahiri, i cili e çoi çështjen në Gjykatën e Lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore