Sport

Gjithçka është gati për përballjen e “shqiponjave”


Gjithçka është gati, tifozët, skuadra dhe vetë qyteti. Në stadiumin “Air Albania” Shqipëria pret Poloninë për të shkruar historinë. Qëllimi është i qartë: fitorja dhe kualifikimi në Kupën e Botës.

Por, nuk do të jetë aspak e lehtë. Në ndeshjen e parë të këtyre kualifikueseve, polakët fituan me rezultat të thellë, 4-1.

Ndeshjen e bëri Shqipëria. Ndërsa, golat i shënoi Polonia.

Shqipëria ka mbajtur portën e paprekur në 5 nga 7 ndeshjet e fundit. Ekipi kuqezi ka fituar të treja ndeshjet e fundit. Ndërsa, Polonia ka fituar 3 ndeshjet e fundit kundër Shqipërisë në të gjitha garat.

Apeli i FSHF-së ndaj tifozëve

Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka dhënë një njoftim për të gjithë tifozët, të cilët do të jenë të pranishëm për të ndjekur ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës, “Katar 2022”, mes Shqipërisë dhe Polonisë.

“Hyrja e tifozëve do të fillojë në ora 18:00. Të gjithë personat, të cilët janë të pajisur me biletë, duhet të kenë me vete dokumentin e identifikimit, si dhe nuk do të lejohen fëmijët nën moshën 16 vjeç, që janë të pashoqëruar nga prindërit. Nuk do të lejohen disa sende, si: sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë apo lëndë piroteknike etj. Lejohet vetëm flamuri zyrtar shqiptar”.

Formacioni i mundshëm

Në këtë ndeshje me rëndësi kaq të madhe, trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, është i detyruar që të ndryshojë skemat e lojës, në krahasim me formacionin që korri fitoren përballë Hungarisë në ndeshjen e fundit.

Në dispozicion të teknikut italian nuk do të jenë mbrojtësi Berat Gjimshiti, i cili u lëndua në ndeshjen ndaj Hungarisë, mesfushori Endri Çekiçi, që ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë, si dhe sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Klaus Gjasula të cilët së fundmi rezultuan pozitivë me COVID-19 në testet e bëra nga UEFA.

Ndërsa mungesat, që ishin konfirmuar më herët, janë Bekim Balaj dhe Erjon Hoxhallari.

Në dallim nga ndeshja e kaluar, në të cilën Shqipëria u rendit me formacionin 3-4-3, tani me mungesat e konfirmuara Edi Reja do të vendosë skemën 3-5-2.

Ndryshimet

Në portë tashmë vendin e ka të sigurt portieri Etrit Berisha, i cili do të jetë edhe kapiten, ndërsa në mbrojtje do të luajë Frederic Veseli në vend të të dëmtuarit Gjimshiti.

Ai do të përbëjnë treshen e mbrojtjes me Marash Kumbullën dhe Ardian Ismajli.

Në mesfushë priten të startojnë katër nga pesë titullarët e përballjes me Hungarinë, me Hysajn e Tashin në krahë dhe zëvendësuesin e Gjasulës dhe Baren në qendër, kurse Nedim Bajrami do të jetë më i avancuar, ku pritet të luajë nga minuta e parë.

Faza e sulmit pritet të ndryshojë në tërësi.

Pas mungesës së Cikalleshit dhe Çekiçit, sulmi i kuqezinjve tani pritet të rreshtohet me dy futbollistë të rinj, Rey Manaj dhe Armando Broja, i cili ishte “asi” i kuqezinjve në ndeshjet e kaluara, duke kontribuar me tri gola dhe po aq asistime në tri ndeshjet e fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore