Lajme

Gjini pas takimit me Escobar: Do të ishte pozitive për Kosovën nënshkrimi i planit evropian


Ardian Gjini

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, pas takimit me të dërguarin special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është shprehur se tema e këtij takimi ishte nënshkrimi i marrëveshjes evropiane, tanimë të pranuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Ndërkaq, Gjini deklaroi atë që tanimë e ka bërë të ditur partia që ai përfaqëson, mbështetjen për planin franko-gjerman (evropian), dhe se janë në favor të nënshkrimit të këtij plani në takimin e 18 marsit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Do të ishte pozitive për Kosovën. Me marrëveshjen aktuale, pjesë e marrëveshjes në mënyrë implicite është njohja”, ka thënë Gjini, raporton Klan Kosova.

Ndryshe, Escobar pas një vizite dy ditore në Serbi, tani turin e tij e ka vazhduar në Kosovë – ku mbrëmjen e së enjtes i ka takuar liderët e partive opozitare.

Gjithashtu, të premten, një ditë para “finales së madhe” në Ohër, diplomati amerikan do t’i takojë edhe krerët e instuticioneve të Kosovës, përfshirë kryeministrin, Albin Kurti, kryeparlamentarin, Glauk Konjufca dhe presidenten, Vjosa Osmani – më të cilën do të mbajnë edhe një konferencë të përbashkët për media.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore