Lajme

Gjillas: Qeveria serbe organizon kriminelë që të rrahin protestuesit me shkopinj dhe çekiç


Protestat e opozitës serbe

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjillas, në një intervistë për gazetën vjeneze “Die Presse”, ka thënë se “në Serbi po vriten politikanë të opozitës, po u thyhet koka me shkopinj”, gjithashtu ai ka shtuar se “qeveria po organizon kriminelët që rrahin protestuesit paqësorë me shkopinj dhe çekiçë”.

Ai ka thënë se që katër vite nuk është ftuar në studio nga mediat e kapura nga pushteti.

“Ka katër vite nuk më kanë ftuar në asnjë televizion me frekuencë kombëtare, ndërsa Vuçiç flet me orë të tëra në ato televizione çdo ditë. Ai dhe ndjekësit e tij po përhapin gënjeshtra, po sulmojnë opozitën dhe mua personalisht”, ka thënë Gjillas.

Protestat në Serbi pas miratimit të Ligjit për Referendum

Zgjedhjet parlamentare të vitit 2020 ishin bojkotuar nga opozita “sepse nuk kishte kushte për opozitën”, por se në zgjedhjet që do të mbahen vitin e ardhshëm ai ka thënë se do të shkojnë “dhe luftojnë”.

“Ne prisnim ndihmën e Evropës për kthimin e demokracisë në Serbi, fatkeqësisht, ndërmjetësuesit evropianë na shitën të gjithëve që besojmë në Evropë, sepse dolën me letra të pakuptimta, që sipas opozitës, por edhe të gjitha organizatave joqeveritare që monitorojnë procesin zgjedhor, nuk ndryshon asgjë”.

“Përkundër gjithë kësaj, ne vendosëm të bashkohemi dhe të shkojmë në zgjedhje dhe të luftojmë”, tha Gjillas.

Ai ka akuzuar mediat pro-qeveritare të cilat shkruajnë me mijëra faqe tekste e qindra orë televizive në vazhdimësi kundër tij.

“Kam 321 faqe të para dhe mbi 3000 tekste për mua në një vit. Dhe qindra orë histori në televizion. Unë kurrë nuk mund të them një fjalë të vetme në të gjitha ato media”.

Mediat pro qeveritare në Serbi

“Unë kam bërë mbi 150 padi kundër atyre mediave dhe politikanëve të partisë në pushtet për gënjeshtrat që thonë. Deri më tani janë përfunduar rreth 70 mosmarrëveshje. Të gjitha në favorin tim. Por ata vazhdojnë, sepse gjoba është 1000 euro- qesharake”, ka thënë Gjillas.

Mediat e kontrolluara nga regjimi “po përpiqen të shkatërrojnë këdo që flet publikisht kundër Vuçiç-it dhe qeverisë së tij”.

Ndërsa për marrëdhëniet e Serbisë me Kinën dhe Rusinë, Gjillas ka thënë se “është e qartë se ne jemi ulur shumë më tepër në anën kineze të karriges”.

“Duhet të jemi të hapur për çdo investitor nëse paguan paga të mira dhe ofron kushte të mira pune. Por për momentin kemi probleme të mëdha me kompanitë kineze, sidomos me atë që do të prodhojë goma makinash në qytetin e Zrenjaninit”.

“Përveç ndotjes së mjedisit, problemi është se fabrika po ndërtohet nga 500 punëtorë nga Vietnami që pothuajse kanë statusin e skllevërve në mes të Evropës. Kjo është një temë e madhe në Serbi, punëtorëve u janë konfiskuar pasaportat”, ka deklaruar Gjillas.

Kryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi (SSP), Dragan Gjillas

Nuk dua të jetoj në një koloni kineze

Ai tha se qeveria serbe ka lidhur kontrata në vlera të mëdha me kompanitë kineze dhe se vendi ka shumëfishuar borxhin e jashtëm.

Kompanitë kineze “po ndërtojnë rrjetin rrugor dhe hekurudhor të Serbisë, metronë në Beograd, sistemin e trajtimit të ujërave të zeza për 3.2 miliardë euro, edhe pse po ta kishim fituar kontraktorin në tender, BE-ja do të kishte dhuruar 85% të çmimit!“

“Borxhi ynë i jashtëm është rreth 30 miliardë euro dhe ne kemi nënshkruar kontrata me bankën kineze të eksportit për 15 miliardë euro të tjera”, tha Gjillas.

Tutje ai ka thënë se nëse Serbia nuk mund të shlyejë borxhet e saj ndaj kinezëve, “ata mund të kërkojnë rrymën tonë, telekomin, minierat, tokën, aeroportet tona siç bëjnë në Afrikë, por edhe në Mal të Zi, i cili kishte probleme me borxhin”, e kjo sipas tij mund të kthej Serbinë në një koloni kineze.

“Unë me të vërtetë nuk dua të jetoj në një koloni kineze në mes të Evropës. Është interesante se përkrahja më e madhe financiare e Serbisë ka ardhur nga BE-ja. Në të njëjtën kohë, sipas sondazheve, serbët besojnë se Kina është një mik më i madh se BE-ja”, ka thënë Gjillas.

Se a ka ndonjë përgjegjësi BE-ja për situatën në Serbi, Gjillas ka thënë se ka dy probleme me procesin e integrimit evropian, nga të cilët “i pari është Serbia dhe qeveria e saj, gjegjësisht Vuçiç”.

“Ai vjen nga një parti radikale dhe sapo ka ndryshuar retorikën e tij. Në të njëjtën kohë, ai po përpiqet të shkatërrojë opozitën dhe të kontrollojë mediat”.

https://twitter.com/ivan__damn/status/1464627764452020224?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1464627764452020224%7Ctwgr%5E%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Feuropeanwesternbalkans.com%2F2021%2F11%2F28%2Fenvironmental-protests-and-roadblocks-across-serbia-masked-men-attack-citizens%2F

“Një problem tjetër është BE-ja, e cila e mbështet Vuçiç-in gjatë gjithë kohës, duke i qëndruar motos se edhe pse nuk ka mjaft demokraci në Serbi, shteti është i qëndrueshëm”.

“BE nuk po bën presion të mjaftueshëm mbi qeverinë për të garantuar lirinë e medias dhe sundimin e ligjit”, ka deklaruar Gjillas për gazetën vjeneze “Die Presse”.

Miratimi i Ligjit për Referendum dhe ai për shpronësime ka nxitur protesta masive në Serbi.

Aktivistë të mjedisit dhe qytetarë të shumtë dhe partitë opozitare, të shtunën e 27 nëntorit kanë bllokuar qarkullimin në disa qytete, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me policinë serbe.

Protestat u zhvilluan në Beograd, Novi Sad, Preljina, afër Kragujevcit, në Shabac, Valjevë, por edhe në qytete të tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore