Sport

Gjilani dhe Llapi ndahen në barazim


Ndeshja e fundit e javës së 25-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll, mes Gjilanit dhe Llapit, përfundoi me rezultat të barabartë 1:1.

Ishte skuadra e Llapit, ajo që kaloi e para në epërsi në minutën e 35-të me golin e realizuar nga meksikani Franciso Rivera, i cili realizoi me kokë, pas asistimit të Valmir Veliut.

Pjesa e parë përfundoi me këtë gol, teksa në të dytën Gjilani u hodh në sulm duke krijuar më shumë në kërkim të golit të barazimit, ndërsa Llapi provonte me kundërsulme.

Në minutën e 79-të, shënuesi i vetëm, Rivera u ndëshkua me kartonë të kuq dhe Gjilanit iu lehtësua puna drejt barazimit.

Në minutën e 86-të, Armend Halili ishte afër të barazonte, por goditja e tij me kokë u ndal nga traversa.

Mirëpo, Shend Kelmendi në minutat shtesë të ndeshjes u gjend mirë në zonë dhe nuk humbi mundësinë për të barazuar 1:1 dhe ky doli të ishte rezultati përfundimtar.

Pas këtij barazimi, Gjilani i vendit të dytë ndodhet tri pikë prapa liderit Ballkani, të cilët kanë 51 pikë, ndërsa Llapi pozicionohet në vendin e katërt me 41 pikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore