Shqipëria

Gjiknuri zbulon arsyen e “Primareve” socialiste në Vlorë


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka zbuluar arsyen se përse u mblodh Asambleja Socialiste në qytetin bregdetar të Vlorës për të votuar lidhur me kandidaturën për kryebashkiak.

Kjo, duke krijuar një skenar të ngjashëm me Partinë Demokratike pak kohë me parë me “Primaret” e saj për secilën bashki të vendit.

“Vlora ka një karakteristikë ndryshe dhe unë e njoh mirë. Shumë njerëz dhe anëtarë të PS-së për shkak të dominancës absolute dhe investimeve serioze që ka bërë qeveria në këtë bashki, që e ka transformuar, e ka bërë interesin maksimale. Kështu që në pikëpamjen e përzgjedhjen është dashur elementi i mbështetjes lokale”, u shpreh fillimisht numri dy socialist për transmetuesin “A2 CNN”.

Sipas tij, kandidati jofitimtar Fate Velaj kishte kohë që kishte nisur fushatën.

“Edhe zoti Ermal Dredha vinte si një diplomat që mund të sillte një dimension tjetër dhe garancinë për vijueshmërinë e punëve të mira aty. Vlora ka rezultatin më të thellë nga pikëpamja politike. Në zgjedhjet e fundit bashkia Vlorë ka rezultate të thella”, shtoi Gjiknuri.

Kujtojmë që ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha do të jetë kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e 14 majit për Bashkinë e Vlorës.

Asambleja e PS-së në qytetin bregdetar votoi më 25 mars për diplomatin shqiptar duke lënë pas ish-deputetin socialist Fate Velaj.

Dredha mori 199 vota, Velaj 50 vota, ndërsa 1 votë u shpall e pavlefshme. Gjithsej votuan 250 anëtarë me të drejtë vote.

Më herët, Dredha ka punuar si Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë.

Ndërsa në Ministrinë e Punëve të Jashtme ai ka okupuar disa pozicione si: Drejtor i Protokollit të Shtetit, Shef i Sektorit Ceremonial, Specialist etj.

Në mars të vitit 1999, Dredha ka punuar edhe si përkthyes, për grupet e gazetarëve italianë të cilët erdhën në Shqipëri gjatë krizës së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vizitoi mëngjesin e të shtunës qytetin bregdetar për të zhvilluar një takim me Asamblenë e Partisë Socialiste.

Takimi u mbajt në teatrin “Petro Marko”, ku kryesocialisti u shoqërua nga drejtuesi i kësaj force politike në Vlorë, Blendi Klosi dhe deputeti socialist Vullnet Sinaj.

Gjatë ballafaqimit me anëtarët e asamblesë, Rama nuk kurseu kritikat për deputetët socialistë të cilët sipas tij kanë bërë fushatë për kandidatët për kryetar bashkie.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore