Lajme

Gjermania vendi i parë i BE-së që blen ilaçin e antitrupave


Gjermania është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian për blerjen e ilaçit kundër Coronavirus. Ky ilaç bazohet në ndërtimin dhe kombinimin e antitrupave.

“Nga java e ardhshme do të përdoren antitrupat monoklonale. Qeveria ka blerë 200 mijë doza për 400 milion euro”, u shpreh ministri gjerman i shëndetsisë, Jens Spahn,  për gazetën Bild.

Ato veprojnë si një vaksinim pasiv. Dhënia e antitrupave mund të ndihmojë grupet e rrezikuara të pacientëve në fazën e hershme të sëmundjes. Ecuria e rëndë e saj mund të pengohet.

Sipas tij duhet më shumë kujdes se kë fajësojmë në lidhje me pandeminë.

“Të flasësh për gabime apo humbje shansesh, është e rëndësishme. Po nuk duhet ta kalojmë në një luftë të pamëshirshme. Nuk duhet të kemi si qëllim shkarkimin e fajit tek të tjerët”, tha Spahn.

Donald Trump dhe trajtimi me antitrupat REGN-COV2

Me këtë ilaç antitrupash, sipas raportimeve është trajtuar edhe presidenti amerikan, Donald Trump, pas infektimit me Coronavirus.

Në fillim të tetorit, Donald Trump, u trajtua me një sasi antitrupash REGN-COV2 të firmës amerikane Regeneron.

Substanca e REGN-COV2 është një kombinim special i dy antitrupave. Ato bllokojnë të ashtuquajturën proteinë Spike të virusit duke deformuar kështu strukturën e saj. Në këtë mënyrë pengohet sulmi që virusi bën në qelizat e njeriut në trup dhe nuk lejohet shumimi.

Të dy trajtimet janë aprovuar për përdorim emergjent në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), por ende nuk kanë marrë dritën jeshile nga rregullatorët evropianë.

Trump, i cili u shtrua për pak kohë në spital, u trajtua me terapinë e Regeneron, para se ajo të kishte marrë autorizimin zyrtar.

Ai më vonë tha se ilaçi bëri “një punë fantastike”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore