Lajme

Gjermania pro liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës


Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, gjatë takimit të tij me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Gjermania vazhdon ta përkrahë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave. Këtë e ka konfirmuar Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger, gjatë takimit të tij me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra për komunikim publik e presidentit ku ministri Berger ka ngushëlluar presidenten Osmani, për tragjedinë e së dielës në Slavonski Brod të Kroacisë ku si pasojë e një aksidenti kanë ndërruar jetë 10 persona dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar.

“Ai e ka vlerësuar pozitive qasjen e institucioneve të Kosovës për të garantuar zhvillim ekonomik dhe përafrim të Kosovës me Bashkimin Evropian. Sipas tij, Gjermania është në favor të liberalizimit të vizave për shtetasit e Kosovës. Ai, gjithashtu ka deklaruar se Gjermania do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fusha të ndryshme dhe se janë të gatshëm për thellim të mëtutjeshëm të bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Sa i përket liberalizimit të vizave, presidentja Osmani ka thënë se janë përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk ka arsye për vonesë.

“Osmani ka përmendur procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe se nuk ka arsye për të vonuar edhe më tutje këtë proces. Në këtë kontekst, Presidentja ka theksuar nevojën e thellimit të mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet dy shteteve, duke përfshirë bashkëpunimin ekonomik, diplomatik e kulturor”, vijon njoftimi.

Ndërsa lidhur me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, Osmani ka theksuar se prioritet për Kosovën duhet të jetë zbardhja e fatit të të zhdukurve si dhe përmbyllja e procesit me njohje reciproke.

Ajo po ashtu, potencoi se “forcimi i aleancave me shtetet mike është i domosdoshëm për suksesin e vendit tonë”.

Përveç Osmanit, Berger është takuar edhe me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Rëndësia e bashkëpunimit dhe rritja e investimeve gjermane në Kosovë, ishte temë diskutimi midis ministrit Berger dhe kryeministrit Kurti.

Sekretari Berger e përgëzoi kryeministrin Kurti për indikatorët e mirë ekonomikë të vendit, që siç tha ai, “janë impresionues”.

Gjatë këtij takimi ai tha se Gjermania “do të mbështesë Procesin e Berlinit dhe tregun e përbashkët, si formë e bashkëpunimit rajonal, dalë nga Samiti i Sofjes, vitin e kaluar”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Sekretari i shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore