Lajme

Gjermania planifikon të dëbojë më shumë se 30 diplomatë rusë


Ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Berbock, planifikon të dëbojë më shumë se 30 diplomatë rusë nga Berlini.

Lajmi u bë i ditur nga publikimi online “Focus”.

Agjencitë gjermane të sigurisë raportohet se kanë arritur në përfundimin se diplomatët rusë mund të përdorin imunitetin e tyre për të rekrutuar informatorë gjermanë nga fusha e politikës, biznesit, shkencës dhe Forcave të Armatosura për të kryer operacione spiunazhi, sabotimi ose dezinformimi.

Berlin-i zyrtar është i bindur se sot shërbimet speciale ruse në Gjermani kanë staf më të fuqishëm se në kohën e Luftës së Ftohtë dhe numërojnë rreth 160 oficerë.

Ata punojnë në fshehtësi në ambasadën në kryeqytetin gjerman, si dhe në disa konsullata në qytete të tjera gjermane.

Qeveria gjermane është e vetëdijshme se dëbimi masiv i agjentëve rusë nuk do të mbetet pa përgjigje në Moskë.

“Si përgjigje, Kremlini do të shpallë një numër edhe më të madh diplomatësh gjermanë të padëshirueshëm”, tha një përfaqësues i paidentifikuar i Ministrisë së Jashtme gjermane për botimin.

Javën e kaluar u bë e ditur se Agjencia e Sigurisë së Brendshme të Polonisë likuidoi një rrjet spiunazhi që punonte për Rusinë dhe që supozohej të përgatitej për aktivitete subversive në Poloni.

Më 24 mars, Ministria e Punëve të Jashtme të Estonisë njoftoi dëbimin e një punonjësi të Ambasadës së Federatës Ruse nga vendi.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, diplomati mori pjesë aktive në cenimin e sigurisë dhe rendit kushtetues të Estonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore