Kosova

Gjermania kundër ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor


Michael Roth, Ministër gjerman i Shtetit për Evropën

“Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor”, tha Ministri gjerman i Shtetit për Evropën, Michael Roth, në një intervistë për DW.

“Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte”.

Sipas tij “kjo nuk kërkon ndonjë profeci”.

“E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek pajtimi, tek bashkëpunimi i ngushtë rajonal, tek distancimi përfundimtar nga nacionalizmi dhe revanshizmi”, shtoi ai.

“Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten vende të shoqërive shumë fetare dhe shumetnike. Ky është parakushti për paqe, prosperitet dhe demokraci. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Evropë nuk mund të ketë interes për këtë”.

Roth ka përsëritur qëndrimin e shtetit të tij se ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkan.

Duke komentuar një letër që qarkullonte në mediumet e Ballkanit, e që sipas raportimeve ishte ide e kryeministrit slloven për ridizajnim të kufijve në Ballkan, Roth ka thënë se kjo ka qenë vetëm një fantazi.

Ai ka thënë se kujtimet e luftërave të Ballkanit në vitet e ’90-a duhet të jenë paralajmërim i mjaftueshëm që puna e kufijve të mos rihapet.

“Pozicioni im është i qartë: fantazitë për zhvendosjen e kufijve më në fund i përkasin njëherë e përgjithmonë një të kaluare të dështuar”, ka shtuar ai.

Pashtu Roth ka theksuar se Gjermania do të angazhohet për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore