Lajme

Gjermania, gati të presë dezertorët rusë


Berlini është gati të mirëpresë dezertorët e Ushtrisë ruse, në rast se ata janë të gatshëm ta lënë frontin e luftës në Ukrainë dhe t’i dalin kundër regjimit në Kremlin.

Është ky lajmi i fundit i komunikuar nga disa ministra gjermanë, pas lajmërimit për mobilizimin e pjesshëm të popullsisë nga ana e Vladimir Putinit, i cili mund të thërrasë deri në 1 milion persona në frontin e luftës në Ukrainë, si rezervistë.

Mbi këtë vendim të Putinit, protesta të shumta kanë shpërthyer në gjithë vendin, veçanërisht në Moskë, ku mijëra qytetarë janë arrestuar.

Megjithatë, për këtë fakt, Gjermania është e gatshme të ndërmarrë hapin drastik të mirëpritjes së njerëzve, të cilët janë kundër Kremlinit.

“Dezertorët e kërcënuar seriozisht nga ana e regjimit në Rusi mund të përfitojnë mbrojtje nga Gjermania, nën rregullat e ligjit ndërkombëtar”, deklaroi mbi çështjen ministrja e Brendshme gjermane, Nancy Faeser, në një intervistë për të përditshmen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Nga ana tjetër, ishte ministri i Drejtësisë, Marco Buschmann, i cili në një postim në median e tij sociale Twitter, bëri me dije se për shkak të mobilizimit të pjesshëm, shumë shtetas rusë po e lënë vendin e tyre.

Ndaj, për këtë arsye, Gjermania do të hapë dyert për t’i mirëpritur ata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore