Lajme

Gjermania, Franca dhe Polonia kërkojnë marrëveshje gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi  


Ministri i Jashtëm francez Jean-Yves Le Drian, ministri i jashtëm polak Zbigniew Rau dhe ministrja e jashtme gjermane Annalena Baerbock

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Polonisë, përmes një komunikate të përbashkët për media, kanë bërë të ditur se mbështesin në rend të parë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke theksuar kështu nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Sipas kryediplomatëve të tri këtyre shteteve marrëveshja gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përshpejtonte anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian si dhe do të kontribuonte në stabilitetin e rajonit.

Gjithashtu këto tri shtete kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal”, thuhet në komunikatën për media.

Gjermania, Franca dhe Polonia kanë dhënë mbështetje për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Franca, Gjermania dhe Polonia mirëpresin përparimin e arritur në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim proceset e reformave në rajon, ku përparimi, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe në pajtimin dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të pazgjidhura dypalëshe dhe rajonale, është i një rëndësie të veçantë”, vazhdon komunikata.

Sa i përket Bosnjës, këto vende shprehen të shqetësuara me situatën.

“Ne jemi të shqetësuar për krizën politike në Bosnje dhe Hercegovinë dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të sigurojnë zgjedhje të drejta dhe të lira më 2 tetor 2022” thuhet në komunikatë.

Komunikata më tej ka paralajmëruar vizitën e udhëheqësve të politikës së jashtme të tre këtyre shteteve  në Ballkanin Perëndimor.

“Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE -së dhe Ballkanit Perëndimor”, përfundon komunikata.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore