Bota

Gjermania e shqetësuar për ndërtimet izraelite në West Bank


Miratimi për ndërtimin e 780 banesave izraelite në zonën e West Bank-ut, ka ngritur shqetësim në radhët e Qeverisë Gjermane.

“Vazhdimi i punës me ndërtimin e godinave të banimit është në shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe rezolutave të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”, shkruhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Ky vendim e bën negocimin midis Izraelit dhe Autoritetit Palestinez shumë të vështirë. Ka pasur thirrje edhe “për ndalimin e menjëhershëm të punës nga autoritetet izraelite. Vetëm kështu mund të rivendoset një stabilitet në rajon”.

Sipas një amendamenti të 4 qershorit 1967, vendime të tilla mund të ndërmerren vetëm me dakordësim dypalësh. Izraeli dhe Autoriteti Palestinez duhet të futen në dialog dhe të miratojnë këtë projekt.

“Gjermania është e përgatitur të mbështesë procesin e dialogut”, thuhet në deklaratë. “Do të bashkëpunojmë me Francën, Jordaninë dhe Egjiptin për të zgjidhur konfliktin”.

Nëpërmjet dialogut, garantohen dy gjëra themelore për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme: Siguria e Izraelit mbetet e pacënuar dhe të drejtat e palestinezëve të respektohen.

West Bank-u (Bregu Perëndimor) është një zonë problematike, e cila ka shkaktuar mjaft konflikte ndër vite. Rreth 2.4 milionë palestinezë jetojnë në atë zonë. Ndërkohë, janë edhe mbi 450 mijë izraelitë që janë zhvendosur dhe kanë zhvilluar jetën e tyre aty./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore