Lajme

Gjermania e hapur ndaj vaksinave kineze dhe ruse


Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka deklaruar se nuk ka asnjë pengesë për përdorimin e vaksinave Sputnik-V dhe Sinopharm, pasi ato të marrin miratimin e Bashkimit Evropian (BE).

Në këtë mënyrë, Span, ka lënë të kuptohet se vaksinat nga Kina dhe Rusia mund të përdoren dhe në Evropë. Kjo me qëllim kapërcimin e deficitit aktual i dozave.

“Pavarësisht se nga cili vend prodhohet një vaksinë, nëse ato janë të sigurta dhe efektive, do të përdoren”, tha Spahn, për gazetën gjermane, Frankfurter.

Sipas ministrit, nuk ka asnjë pengesë që të ndalojë përdorimin e tyre.

Rusia njoftoi të premten, se do të ishte në gjendje të furnizonte me 100 milionë doza të vaksinës së saj BE-në. Kjo do të vijë në tremujorin e dytë të vitit.

Spahn, gjithashtu shprehu shpresën se pandemia do të vihet nën kontroll gjatë vitit dhe se nuk do të ketë “përvjetor të dytë për virusin”.

Ai shkroi në mediat sociale se qeveria gjermane do të përpiqet të sigurojë vaksina për muajt e ardhshëm.

Situata e BE-së me AstraZeneca dhe Pfizer është e tensionuar. Ndërprerjet e papritura të furnizimit, vetëm një muaj pasi blloku filloi vaksinimin e qytetarëve solli mjaft polemika.

Shqetësimet rreth vaksinave kineze dhe ruse

Shqetësimet në lidhje me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave kineze e ruse janë të shumta. Kjo pasi ato nuk kanë respektuar stadet e kërkuara në procesin e prodhimit.

Megjithatë, Hungaria si vend anëtar i BE-së e ka miratuar vaksinën kineze. Në janar, shteti hungarez gjithashtu theu rregullin e Unionit, duke lëshuar një licencë të përkohshme për vaksinën Sputnik V të Rusisë.

BE-ja e ka cilësuar marrëveshjen e Hungarisë të jetë jashtë kornizës së përbashkët të bllokut, e pahijshme edhe pse jo e paligjshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore