Kosova

Gjermania do të angazhohet për liberalizimin e vizave për Kosovën


“Ai (Heiko Maas) konfirmoi se Gjermania do të angazhohet që liberalizimi për Kosovën të realizohet sa më shpejtë, pasi qëndrimi i Gjermanisë është i qartë, se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim të vizave”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, pas takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.

“Ministri deklaroi se gjatë presidencës së Gjermanisë në Bashkimin Evropian, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte në krye të agjendës”,

Temë e takimit sipas Qeverisë, ishte edhe çështja e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja, ku kryediplomati konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për dialog dhe normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë njoftim thuhet se gjatë takimit i është dhënë mbështetje synimeve të qeverisë për reforma në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ministri gjerman ka uruar kryeministrin Kurti me rastin e marrjes së detyrës së udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës dhe ka ripërsëritur mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën dhe qeverinë e re”.

Ndërkohë, Kryeministri Kurti theksoi se qeveria e re garanton mjedis të sigurt për investime, dhe se Kosova do të mirëpriste investimet e përbashkëta të mërgatës dhe investitorëve gjermanë.

Të enjten ministri Maas është takuar edhe me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani e ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore