Lajme

Gjermania dhe Franca marrin përsipër njohjen e Kosovës nga 5-shja mos njohëse, nëse ka marrëveshje


Foto nga Albanian Post

Nuk mund të ketë propozim konkret për zgjidhje finale të çështjes së hapur mes Kosovës e Serbisë, pa një unitet konkret në mes të vetë aktorëve kryesore brenda Bashkimit Evropian.

Ky ishte komenti në formë kërkesë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin për shtetet udhëheqëse të BE-së, kur u arrit pajtim i përgjithshëm se lufta në Ukrainë e ka vendosur në një perspektivë tjetër status quon në Ballkanin Perëndimor dhe problemin e pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë.

Albanian Post merr vesh se brenda një takimi ishte bërë kjo kërkesë e qartë e amerikanëve dhe prandaj në kornizën e re të publikuar nga Albanian Post fiksohet se propozim është i akorduar me të gjithë anëtarët e unionit – 27 prej tyre, përfshirë edhe pesë vendet mos njohëse.

“Në këtë përpjekje të Evropës, kancelari Scholz dhe Presidenti Macron kanë mbështetjen edhe të pesë vende mos-njohëse të Kosovës brenda BE-së”, thuhet në hyrjen e dokumentit.

Kjo është edhe arsyeja që në draft-propozim merret përgjegjësi që Kosova do njihet nga këto pesë shtete – Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania, Qipro.

Këtë unitet të kërkuar dhe domosdon e tij e ka përmendur edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Në fjalimin që, përtej politikanëve, gjermani ua drejton organizatave jo qeveritare, shoqërisë civile e qytetarëve në Kosovë, flet për guximin që duhet pasur, marrjen e përgjegjësive dhe lënien prapa të dogmave të pakuptimta me të cilat politikanët ballkanikë mirëmbajnë vetën.

Duke folur në adresimin të tij përmes video linkut në edicionin e parë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë (KPDS) që po mbahet në Kosovë tha se “nuk është pa arsye që shumë njerëz po e përmendin, dhe kjo është të treguarit përgjegjësi nga ne që të bëjmë krejt çfarë është e mundur ta çojmë dialogun përpara dhe të provojmë ta bëjmë të suksesshëm”.

Garanci të plotë Sarrazin tha se s’mund të ketë, por është e rëndësishme të kuptohet se në këtë përpjeke janë të gjithë bashkë.

“Nuk do të shkojë në shtëpi dhe t’u them fëmijëve të mi se nuk kam provuar të jetë i suksesshëm. Dhe mendoj se kjo është përpjekja dhe qëndrimi që Miroslav Lajçak e ka, që partnerët tanë nga Komisioni Evropian, nga Shërbimi i Jashtëm Evropian e kanë dhe që partnerët e QUINT-it e kanë”.

Prandaj, thotë diplomati gjerman, përpjekja më intenzive për një zgjidhje finale përmes dialogut është një ndërmarrje që kërkon nga të gjithë që “të punojmë bashkë në bashkimin e BE-së, në bashkimin e QUINT-it dhe ta çojmë rajonin përpara”.

Komuniteti ndërkombëtar tashmë e ka kuptuar atë që do të duhej të kuptohej edhe në Kosovë se duhet “ta shmangim status quon apo stagnimin në dialog”.

Në të ashtuquajtur kornizën e re, në pjesën e “vizionit të dialogut” thuhet se “marrëveshja e tretë për normalizimin e raporteve” parasheh “(njohjen e ndërsjellë formale) pak para se gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen BE-së”.

Dhe në adresimin e tij, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin, e konfirmon se pikërisht qëllimi final është anëtarësimi në bllok në BE, jo vetëm i Kosovës dhe Serbisë, por i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe kjo do të ndodhte menjëherë pas njohjes së ndërsjellë, sepse ndryshe s’ka BE për Kosovën dhe Serbinë.

Por, Sarrazin nga shërbimi në këtë pjesë të Evropës thotë ta ketë kuptuar se cila lojë bëhet kryesisht nga liderët dhe politikanët në Ballkan, bëhet fjalë për “lojën e fajësisë”.

“Mendoj se është një lojë që është fort e njohur në rajon. Kjo është kur evitojmë të marrim përsipër rrezikun/përgjegjësinë, dhe tregojmë se këtu jemi të bllokuar për shkak të asaj, apo kësaj lëvizje politike, për shkak të atij apo këtij politikani. Pastaj ne kurrë nuk do vijmë tek ju, sepse çfarë di të bëj ky rajon më së miri është ‘lojën e fajeve’; tjetri është fajtori, ose i dyti, i treti a i katërti”, tha gjermani.

Manuel Sarrazin

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Pjese nga dokumenti i publikuar nga Albanian Post

“Korniza e re” të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument “Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it. Këtë kornizë, publikisht, e ka pranuar vetëm Presidenti serb Vuçiç pas vizitës së dy këshilltarëve në Beograd.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore