Lajme

Gjermani/ Fillojnë gjyqet kundër krimeve në Siri


Një ish- anëtar i shërbimi të inteligjencës siriane u dënua me katër vite e gjashtë muaj burg në Gjermani.

Eyad al-Gharib, 44 vjeç, u dënua të mërkurën për bashkëpunim në krime kundër njerëzimit ndërsa ndihmoi në arrestimin e protestuesve dhe dorëzimin e tyre në një qendër ndalimi në Damask, gjatë vjeshtës së 2011-ës.

Ky është gjyqi i parë në të gjithë botën i këtij lloji.

Ish-koloneli dyshohet se ndihmoi në arrestimin e të paktën 30 protestuesve dhe i dorëzoi ata në qendrën e paraburgimit al-Khatib në Damask pas një tubimi në Duma, në verilindje të kryeqytetit.

Vendimi u jep shpresë 800 mijë sirianëve në Gjermani të cilët thonë se u torturuan dhe dështuan në përpjekjet për të krijuar një Gjykatë Ndërkombëtare për Sirinë.

Avokatët e Al-Gharib kishin kërkuar shpalljen e pafajësisë, duke thënë se ai ishte i detyruar nga eprorët për të kryer arrestimet. Ai i kishte kërkuar Gjykatës ta konsideronte atë dëshmitar kundër qeverisë siriane.

Raste të ngjashme

Avokati sirian i të drejtave të njeriut Anwar al-Bunni tha se vendimi do të përshpejtojë përpjekjet për të ngritur akuza kundër ish-anëtarëve të qeverisë siriane, të dyshuar për krime lufte, të cilët kanë ikur në Evropë.

Al-Gharib ishte i pari nga dy të pandehurit që nga 23 prilli.

I pandehuri i dytë, Anwar Raslan, 58 vjeç, akuzohet për krime kundër njerëzimit, përfshirë mbikëqyrjen e vrasjes së 58 personave dhe torturimin e 4 mijë të tjerëve.

Gjyqi i Raslan pritet të zgjasë të paktën deri në fund të tetorit. Raste të tilla janë shfaqur gjithashtu në, Francë dhe Suedi, ndërsa sirianët që kanë kërkuar strehim në Evropë i drejtohen mjeteve të vetme ligjore që aktualisht janë në dispozicion.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore