Lajme

Gjermanët dynden në Poloni për të blerë fishekzjarrë


Gjermanët janë dyndur nëpër dyqane dhe fabrika në Poloni, për të blerë fishekzjarrë, duke qenë se në shtetin e tyre është e ndaluar me ligj shitja e lëndëve piroteknike.

Njerëzit kishin udhëtuar nga e gjithë Gjermania, afër kufirit gjerman në Slubice, Polonia Perëndimore, drejt fabrikës së fishekzjarrëve.

Sipas raportimeve, ata kishin qëndruar në radhë deri në tri orë këtë javë, duke mbushur makina dhe furgonët përpara festimeve të ashtuquajtura “Silvester”.

Ndalimi i fishekzjarrëve erdhi si një masë për të parandaluar grumbullimet e mëdha gjatë pandemisë dhe për të lehtësuar barrën e spitaleve, të cilët rregullisht duhet të trajtojnë lëndime të rënda, si djegie dhe gjymtyrë të dëmtuara, si pasojë e aksidenteve piroteknike.

Është një nga disa masat pas Krishtlindjeve, teksa Gjermania po përgatitet për një valë të re të coronavirus-it të shkaktuar nga varianti Omicron.

Në natën e Vitit të Ri, tubimet private do të kufizohen në maksimum 10 persona, që janë vaksinuar ose shëruar, duke përjashtuar fëmijët nën 14 vjeç.

Klubet dhe diskotekat nuk lejohen të hapen dhe restorantet mund të funksionojnë vetëm në kushte strikte.

Një kufi prej 50 kilogramë mallra lejohet për automjet dhe policia është në zonë për të kryer kontrolle të rastësishme, sipas raporteve të mediave.

Shumica e gjermanëve e mbështesin ndalimin.

Sipas një sondazhi të fundit të YouGov të kryer për agjencinë e lajmeve DPA, 66% ishin në favor të vendimit, ndërsa 27% thanë se ishte i gabuar.

Industria piroteknike ka njoftuar se do të ndërmarrë veprime ligjore, duke e quajtur të padrejtë që klientët u lejuan të sillnin fishekzjarre nga jashtë dhe duke argumentuar se lëndimet serioze ishin “praktikisht të pamundura” nëse produktet përdoreshin siç specifikohet në udhëzime.

Prodhuesit gjermanë të fishekzjarrëve bëjnë rreth 95% të xhiros së tyre vjetore, prej rreth 200 milionë euro në tri ditët para fillimit të vitit kur zakonisht lejohen të shiten fishekzjarrë.

Gjermania është tregu më i madh në Evropë, i barabartë me atë të SHBA-ve.

Disa prodhues kanë thënë se besojnë se pandemia po përdoret si një justifikim për ta çuar industrinë drejt falimentimit.

Në të kaluarën, aktivistët mjedisorë, adhuruesit e kafshëve shtëpiake, mjekët, brigada e zjarrfikësve dhe policia kanë bërë fushatë në favor të një ndalimi të plotë. Pandemia vetëm sa ka bërë që presioni të rritet më tej.

Ingo Schubert, kreu i shoqatës kombëtare për piroteknikët, tha se “ende na mungojnë të dhënat e vlefshme për t’u dhënë besueshmëri pretendimeve se një sasi e konsiderueshme lëndimesh gjatë natës Silvester shkaktohen nga fishekzjarrë të autorizuara”.

Ai tha se nuk i është kushtuar vëmendje e mjaftueshme rolit të alkoolit në aksidente, siç konfirmojnë mjekët që trajtojnë lëndimet.

Ministri i ri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, ka bërë fushatë në të kaluarën për një ndalim bazuar në dëmin, për të cilin tha se ishte shkaktuar veçanërisht te njerëzit me astmë nga grimcat e imëta të emetuara në ajër.

“Brenda disa orëve nga këto festime kaotike, DIY të vitit të ri, ju mund të thithni të njëjtën sasi grimcash të imëta ndaj të cilave do të ekspozoheshit për disa muaj”, tha ai për “The Guardian” në një intervistë të vitit 2018.

Mesazhi i tij këtë vit lidhet sërish me urgjencën pandemike.

Pavarësisht presionit me të cilin përballet, industria në Gjermani shpreson për një rritje vitin e ardhshëm.

Ndërkohë, sasia e fishekzjarrëve të pashitura, rreth 30 mijë ton eksploziv, po rritet. Ato ruhen në rreth 30 vende të sigurisë së lartë në të gjithë vendin.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore