Sport

Gjenerata e humbur e Real-it


Gazeta e përditshme sportive spanjolle AS, që është më pranë klubeve të Madridit ka bërë një panoramë të të gjithë talenteve që Real Madrid-i ka larguar vitet e fundit. Martin Odegaard-i është talenti më i fundit që u largua nga Los Blancos-it.

Odegaard-i u rikthye në Madrid pas aventurës së mirë që kaloi te Real Socedad-i. Norvegjezi nuk arriti përsëri që të bind te Real-i. Pas gjysmës së parë të sezonit aktual, ai u dërgua në huazim te Arsenal-i. Luajti 367 minuta, në rikthimin e tij në Madrid, midis La Ligës, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Mbretit.

Te Arsenal-i norvegjezi do të ketë partner Dani Ceballos-in. Spanjollin që Real-i e mori nga Real Betis-i në 2017, por me Zinedine Zidane-n nuk luajti më shumë se 1 mijë minuta. Me rikthimin e teknikut në Madrid, Ceballos-i u huazua te Arsenal-i, në 2019.

Luka Joviç-i është një tjetër talent i ri dhe me potencial, në radhët e madrilenëve. Serbi nuk arriti të shënonte më shumë se dy gola, në 18 muaj me fanellën e bardhë. Këtë merkato Joviç-i u huazua tek klubi nga i cili u ble, Eintracht Frankfurt-i. Në Bundesligë, ka 76 minuta, të ndara në tre ndeshje dhe ka shënuar tre gola.

Marcos Llorente, pas një sezoni të mirë me Real Madrid Castilla-n, u huazua te Alaves-i dhe më pas u rikthye në ekipin e parë të Real-it. Me madrilenet luajti 20 ndeshje, gjatë kohës kur ekipi drejtohej nga Santiago Solari dhe Julen Lopetegui.

Në rikthimin e Zidane, gjërat ndryshuan dhe ai u aktivizua vetëm në tre ndeshje. Llorente u transferua tek Atletico Madrid-i për shifrën e 40 milionë eurove. Që nga ajo kohë spanjolli është kthyer në një nga lojtarët kryesorë të ekipit të Diego Simeone-s.

Achraf Hakimi, shkëlqeu gjatë kohës që ishte i huazuar tek Borussia e Dortmund-it. Marokeni pas atyre paraqitjeve ishte nga më të kërkuarit në merkato dhe u transferua te Inter-i në Serinë A. Dani Carvajal-i cilësohej si i pazëvendësueshëm nga klubi. U bë e qartë se spanjolli do të luante rol kryesor edhe në sezonet në vazhdim.

Theo Hernandez-i, u ble nga Atletico Madrid-i, për diçka më shumë se 20 milionë euro. U huazua fillimisht te Alaves-i, ku dhe shkëlqeu. U rikthye në Madrid, por nuk u adaptua me atë që kërkonte Zidane. Në 2019 u transferua te Milan-i për rreth 22 milionë euro. Pas paraqitjeve shumë të mira me kuqezinjtë, vlera e tij ka shkuar rreth 50 milionë euro.

Sergio Reguilon-i është talenti tjetër që doli nga Real Madrid-i. Spanjolli nuk u preferua asnjëherë nga tekniku Zidane. Fillimisht u huazua te Sevilla, për t’u shitur më pas te Tottenham-i i Jose Mourinho-s.

Jesus Vallejo, qendërmbrojtësi spanjoll ishte pjesë e Real-it. Lojtari la përshtypje të mira me Spanjën U21, por kur mbërriti në Madrid, konkurenca ishte shumë e madhe, me Sergio Ramos-in, Raphael Varane-n apo dhe Nacho Fernandez-in. Vetëm 16 paraqitje, nën drejtimin e Zidane-t. Edhe aktualisht është pjesë e Real-it, por i huazuar te Granda.

Alvaro Odriozola ishte një nga mbrojtësit e djathtë më me prespektivë, kur ishte në moshë pak më të re. La gjurmë te Real Sociedad-i, por në Madrid, vuajti përballjen me Carvajal-in. Sezonin e shkuar u huazua te Bayern Munich-u. Aktualisht është pjesë e madrilenëve, por mediat spanjolle e lidhin me një largim të mundshëm në huazim përsëri.

Takefusa Kubo dhe Brahim Diaz-i, janë dy lojtarë të tjerë premtues që u është dashur të largohen nga Real-i. Momentalisht Kubo është pjesë e Getafe-s, në huazim, ashtu si dhe Diaz-i te Milan-i.

Përshtatur për AS nga AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore