Lajme

Gjenerali Milley justifikon telefonatat ‘sekrete’ me Kinën


Gjenerali amerikan, Mark Milley ka mbrojtur veten pasi një libër raportoi se ai kishte telefonata “sekrete” me Kinën, çka vjen mes shqetësimeve për ish-presidentin amerikan, Donald Trump.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se ai ka thënë të mërkurën e 16 shtatorit se thirrjet e tetorit dhe janarit të kaluar ishin për të siguruar ushtrinë kineze.

Kurse ish-presidenti Trump ka thënë se se pretendimet ishin të fabrikuara dhe republikanët kanë bërë thirrje që gjenerali të shkarkohet.

Nga ana tjetër, presidenti aktual amerikan, Joe Biden, ka pohuar se ka “besim të madh” te gjenerali Milley.

Zëdhënësi i gjeneralit ka treguar se thirrjet ishin në përputhje me “detyrat dhe përgjegjësitë e tij që përcillnin siguri për të ruajtur stabilitetin strategjik”.

Lidhur me telefonatat me gjeneralin kinez, Li Zuocheng, ato u zbuluan të martën e 15 shtatorit në fragmente nga një libër i ri i gazetarëve investigativë të “Washington Post-it”.

Telefonatat u zhvilluan menjëherë pas zgjedhjeve presidenciale dhe pasi Trump-i refuzoi të pranonte humbjen e tij.

Libri me titull “Peril”, ka nxjerrë se pas trazirave të 6 janarit, Gen Milley, Kryetar i Shtabit të Përgjithshëm të Shtabit, “ishte i sigurt se Trump-i kishte kaluar humbje serioze të aftësive mendore pas zgjedhjeve”.

Në libër shkruhet se ai dyshohet se ishte i shqetësuar se ish-presidenti mund “të bëhej mashtrues”.

Madje, thuhet se i ka thënë gjeneralit kinez se “qeveria amerikane është e qëndrueshme” dhe siguroi gjeneralin Li se SHBA-të nuk do të sulmonin.

Dhe nëse ata do ta bënin këtë, kinezët do të paralajmëroheshin së pari, citon ekstrakti.

Gjithashtu libri nxjerr se gjenerali Milley i kishte thënë stafit të tij se nëse Trump-i urdhëronte një sulm bërthamor, atëherë ai do të duhej ta konfirmonte atë para se të kryhej.

Megjithatë, në një deklaratë, Trump-i e akuzoi gjeneralin për “tradhti” dhe i përshkroi pretendimet si “lajme të rreme.

Edhe senatori i lartë republikan, Marco Rubio, ka drejtuar thirrje që Biden-i ta shkarkojë gjeneralin.

Jen Psaki, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë ka thënë se “presidenti ka besim të plotë në udhëheqjen e tij, patriotizmin e tij dhe besnikërinë e tij ndaj Kushtetutës sonë”.

Ajo ka shtuar se Biden-i ka besim të plotë te gjenerali Milley, i cili vazhdon të shërbejë në rolin e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore