Lajme

Gjenden mbetje mortore në Prizren, dyshohet se janë të luftës së fundit


Ilustrim

Në qytetin e Prizrenit punëtorët e Eko Regjionit, gjatë gërmimit për të hapur një varr në varrezat myslimane të shtunën e 19 marsit kanë hasur në mbetje mortore të një kufome e cila ishte e mbështjellë me rroba si dhe një batanije.

Sipas raportit policor, dyshohet se mbetjet mortore i takojnë periudhës së luftës së fundit në Kosovë.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore si dhe për rastin është njoftuar prokurori i shtetit”, thuhet më tej në raport.

Tërheqja e mbetjeve mortore është bërë nga njësia e krimeve të luftës, ka njoftuar policia.

23 vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë, më shumë se 1 mijë e 600 persona figurojnë si të pagjetur.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth 6 mijë 500 persona. Që nga ajo kohë janë kryer disa gërmime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Gërmimet e fundit janë bërë në muajin maj, në varrezën masive në Kizhevak të Rashkës në Serbi, ku janë gjetur mbetjet mortore të nëntë kosovarëve, të vrarë gjatës luftës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore