Shqipëria

GJEDNJ/ Ndalon sekuestrimin e kompjuterëve të Lapsi.al


Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut vendosi që vendimi i gjyqtares Iliriana Olldashi, për sekuestrimin e kompjuterëve të gazetarëve të Lapsi.al, të mos zbatohet.

Lajmi është bërë i ditur nga avokati Dorian Matlija.

“Më 21 prill 2021, Gjykata (gjyqtari në detyrë) vendosi, në interes të palëve dhe të kryerjes së përshtatshme të procesit para saj, t’i tregojë Qeverisë së Shqipërisë nën Rregullin 39, se autoritetet duhet të ndalojnë zbatimin e vendimit nr. 131, dt. 18 Prill të Gjykatës së Shkallës së Parë të Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit për sekuestrimin e pajimeve të magazinimit të të dhënave dhe kompjuterëve/të dhënave elektronike që i përkasin aplikantit”, shkruhet në letër.

Më 19 prill, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me kërkesë të SPAK-ut, u ka kërkuar drejtuesve të Lapsi.al databazën ku gjendeshin të dhënat e 910 mijë votuesve.

Sipas kësaj baze, qytetarët kishin një “patronazhist mbi kokë”, i cili tregonte preferencën politike të tyre.

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se partia e tij ka një “sistem patronazhimi” të votuesve, por tha se baza e të dhënave është më komplekse dhe se ajo që rrjedh, është ndoshta e vjetër.

A është cenim i privatësisë publikimi i të dhënave nga Lapsi.al?

Kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, në një prononcim për Albanian Post  deklaroi se mbrojtja e burimit prej gazetarit është një princip i hershëm për gazetarinë profesionale.

Sipas tij, gazetari e mbron deri në fund të drejtën e diskrecionit të burimit vetjak.

“Nëse prej publikimit të gazetarit cenohen çështje të privatësisë dhe të pronësisë private, kjo është e paraparë nga legjislacioni, që është i përafruar me vendet e Bashkimit Evropian dhe Perëndimin”, shpjegoi Çipa.

Ai, për rastin konkret, shpreh se nuk është në gjendje të thotë nëse, “janë cenuar të dhëna personalë që janë marrë nga një akses publik”.

Por, Çipa thekson se, teknikisht, Gjykata ka të drejtë të kërkojë burimin e të dhënave.

Albanian Post kontaktoi edhe me avokatin, Gedeon Dudushi. Ai mendon se publikimi i të dhënave nga Lapsi.al është në përputhje me interesin publik për ta bërë lajmin të besueshëm.

Gjithashtu, ai bën të ditur se, “në këtë rast ka një konkurrim të drejtash, mes të drejtës dhe pavarësisë së shtypit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”.

Rast i ngjashëm

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut u jep të drejtën gazetarëve të mos e japin burimin e tyre të informacionit. Qoftë kjo edhe para prokurorëve apo gjykatësve.

Gjithashtu kjo gjykatë u bën thirrje institucioneve ligj-zbatuese që të përdorin të gjitha mjetet para e disponueshme hetimore, para se të marrin akses te burimet e gazetarëve.

E njëjta situatë ka ndodhur në Ukrainë, me gazetaren Natalia Sedletska, të cilës Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm ka lejuar hetuesit të shqyrtojnë të gjitha të dhënat nga telefoni i saj nga data 1 korrik 2016, deri më 30 nëntor 2017.

Ky vendim u kundërshtua nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e cila urdhëroi qeverinë ukrainase të mos përdorë të dhëna nga telefoni celular i saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore