Kosova

Gjashtë prokurorë aplikojnë për Kryeprokuror


KPK

Vetëm gjashtë prokurorë kanë aplikuar në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit të KPK-së prokurorët që kanë aplikuar janë: Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit; Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet në njoftim të KPK-së se të premten  e katër shkurtit ka përfunduar afati 15 ditorë për aplikim të prokurorëve për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, afat ky, i përcaktuar me Konkursin e shpallur më 17 janar 2022.

KPK

Kurse të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar vetëm gjashtë 6 prokurorë, të cilët kanë dorëzuar aplikacionet brenda afatit të përcaktuar me konkursin e lartcekur.

KPK bënë të ditur se në njoftim të tyre, renditja e prokurorëve kandidatë është bërë mbi bazë alfabetike.

“Sa i përket numrit të saktë të prokurorëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit duhet pritur aplikacionet e tjera eventuale, të cilat mund të pranohen përmes Postës”.

Lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka bërë ftesë zyrtare partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile që përcjellin aktivitetet e sistemit prokurorial për të monitoruar procesin.

Kurse për të martën, më 8 shkurt 2022, KPK i ka ftuar për të monitoruar hapjen e të gjitha aplikacioneve të prokurorëve që kanë aplikuar për këtë pozitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore