Lajme

Gjashtë nga të plagosurit në Kroaci, ende në trajtim mjekësor


Aksidenti në Kroaci

Gjashtë qytetarë të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci janë ende në trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit.

Në njoftimin për media të Kryeministrisë thuhet se gjendja e tyre shëndetësore është stabile.

“Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdeseni e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët”.

Më 25 korrik në afërsi të qytetit Sllavonski Brod në Kroaci një autobus që po qarkullonte në linjën Frankfurt-Prishtinë doli nga rruga duke shkaktuar vdekjen e 10 udhëtarëve. Të plagosur mbetën dhjetëra të tjerë.

10 persona vdiqën, 42 u shtruan në spital në Slavonski Brod dhe dy në Nova Gradishka, dhe një me një dëmtim të shtyllës kurrizore ishte transformuar në Klinikën për Traumatologji në Zagreb.

Aksidenti përfshiu gjithashtu 15 të mitur, njëri prej të cilëve u plagos rëndë, dhe tre iu nënshtruan një operacioni.

Një pjesë e të mbijetuarve, pas trajtimit mjekësorë, janë dërguar në Kosovë, ndërsa një pjesë në Gjermani.

Shoferi i autobusit ishte ndaluar nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Autoritetet kroate kanë thënë se ekziston dyshim i bazuar se i dyshuari 52-vjeçar ishte duke vozitur autobusin në kundërshtim me ligjin për trafikun rrugor.

Sipas autoriteteve, shoferi, në gjendje të lodhjes dhe paaftësisë për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, nuk ka lëvizur në distancë të mjaftueshme dhe ka përfunduar në sipërfaqen me bar.

Për pasojë, autobusi më pas është rrokullisur. Më 26 korrik, Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e kishte shpallur 26 korrikun ditë zie në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore