Lajme

Giuliani, Graham dhe disa nga të besuarit e Trump u thirrën nga Juria e posaçme e Fulton


Juria speciale e Qarkut Fulton që po heton ndërhyrjet e mundshme kriminale në zgjedhjet e Gjeorgjisë të vitit 2020 ka thirrur anëtarët kryesorë të ekipit ligjor të ish-presidentit Donald Trump, përfshirë avokatin e tij personal Rudy Giuliani.

Përveç Giulianit, mes atyre që u thirrën janë John Eastman, Cleta Mitchell, Kenneth Chesbro dhe Jenna Ellis, të cilët të gjithë këshilluan Trump për strategjitë për përmbysjen e fitoreve të demokratit Joe Biden në Georgia dhe shtete të tjera, ku votat ishin akoma duke u numëruar.

Juria thirri gjithashtu senatorin amerikan të Karolinës së Jugut Lindsey Graham, një nga aleatët kryesorë të Trump në Senatin e SHBA-së, dhe avokatin dhe prezantuesin e podkastit Jacki Pick Deason.

Thirrjet u dorëzuan më 5 korrik dhe u nënshkruan nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Fulton, Robert McBurney, i cili po mbikëqyr jurinë speciale.

John Eastman, ish-këshilltar i Trump

Juria e madhe speciale prej 23 personash ka dëgjuar dëshmi në javët e fundit nga një paradë dëshmitarësh, duke përfshirë disa që kishin kontakte të drejtpërdrejta me Trump dhe bashkëpunëtorët e tij.

Por fletëthirrjet e së martës janë anëtarët më të afërt në rrethin e brendshëm të ish-presidentit që juria ka patur shansin t’i dëgjojë.

Giuliani, avokati personal i Trump, dëshmoi para ligjvënësve të Georgia në tre raste të veçanta në fund të vitit 2020. Komentet e tij, të cilat janë bërë një interes i madh për jurinë speciale, ishin të mbushura me pretendime sensacionale dhe teori konspirative rreth dhjetëra mijëra njerëzve që votonin ilegalisht dhe makineri votimi të manipuluara që u hoqën shpejt nga autoritetet shtetërore ose u refuzuan në gjykata.

Ai u pezullua nga ushtrimi i ligjit në Nju Jork në qershor të vitit 2021, pjesërisht për shkak të dëshmisë së tij në Georgia.

Eastman, një ish-profesor i drejtësisë, ishte arkitekti kryesor i planit për t’i bërë presion zëvendëspresidentit Mike Pence, për të refuzuar elektorët zyrtarë demokratë në Georgia dhe shtete të tjera dhe për të zgjedhur një listë alternative të zgjedhësve të GOP (Partisë Republikane).

Një gjykatës federal në mars argumentoi se “ka shumë gjasa se Presidenti Trump dhe Eastman komplotuan në mënyrë të pandershme për të penguar Sesionin e Përbashkët të Kongresit më 6 janar 2021”.

Avokatja dhe këshilltarja e Trump, Cleta Mitchell

Eastman dëshmoi në një seancë legjislative në Georgia pas zgjedhjeve, gjatë së cilës ai argumentoi se kishte prova “më se të mjaftueshme” të mashtrimit dhe sjelljes së pahijshme për të garantuar që ligjvënësit të zgjidhnin një listë alternative të zgjedhësve presidencialë.

“Unë nuk mendoj se është vetëm autoriteti juaj për ta bërë këtë”, tha Eastman, “por, sinqerisht, unë mendoj se ju keni detyrë ta bëni këtë për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve këtu në Georgia”.

Mitchell, një avokat konservator me bazë në Uashington, D.C., e këshilloi Trumpin për thirrjen famëkeqe të 2 janarit 2021 që republikani i bëri Sekretarit të Shtetit të Georgia, Brad Raffensperger.

Gjatë asaj bisede, në të cilën Trump i kërkoi Raffensperger-it të “gjente” 11 mijë e 780 vota, Mitchell e ndihmoi Trumpin ndërsa ai bëri pretendime të pabazuara në lidhje me zgjedhjet e Georgia.

Graham i telefonoi veçmas Raffensperger-it në ditët pas zgjedhjeve të nëntorit 2020 dhe dyshohet se pyeti nëse sekretari i shtetit kishte fuqinë të refuzonte më shumë votime të hedhura ligjërisht për të ndihmuar Trump të ngushtonte deficitin e tij në Georgia. Graham i mohoi akuzat.

Mund të jetë e vështirë për prokurorët e Fulton të sigurojnë dëshmi nga Giuliani, Eastman, Mitchell, Chesebro dhe Ellis, pasi ata mund të argumentojnë privilegjin avokat-klient.

Trump dhe avokatja e tijk Jenna Ellis

Prokurori i Fulton County, Fani Willis nisi hetimin penal për zgjedhjet e Gjeorgjisë në shkurt të vitit 2021, disa javë pas zbulimit të një regjistrimi të telefonatës Trump-Raffensperger.

Që atëherë ajo ka zgjeruar hetimin për të përfshirë elektorët e rremë të GOP, dëshminë e Giuliani para ligjvënësve të shtetit dhe përpjekje të tjera për t’i bërë presion zyrtarëve të Georgia që të veprojnë në favor të Trump.

Juria e madhe e posaçme ka leje të takohet deri në maj 2023, megjithëse Willis tha se ajo pret që puna e grupit të përfundojë shumë përpara kësaj.

Juristët pritet të hartojnë një raport në fund të shërbimit të tyre duke rekomanduar nëse Willis duhet të ngrejë akuza kundër Trump ose aleatëve të tij, megjithëse vendimi përfundimtar në fund i mbetet Willis, i cili është demokrat.

Willis aktualisht po lufton me të paktën dy zyrtarë aktualë dhe ish-republikanë në Georgia për fletëthirrjet. Avokatët e guvernatorit Geoff Duncan dhe ish-sen. William Ligon argumentuan javën e kaluar se Kushtetuta e shtetit i mbron ata nga dëshmimi për çdo gjë që lidhet me aktivitetet e tyre legjislative.

Zyra e Prokurorit të Qarkut argumenton se aktivitetet që synojnë të ndryshojnë rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve nuk mbrohen nga i ashtuquajturi imunitet legjislativ.

McBurney, i cili dëgjoi argumente nga zyra e DA dhe ligjvënësit, aktualisht po harton një kornizë për llojet e pyetjeve që prokurorët mund të bëjnë pa shkelur rregullat e imunitetit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore