Lajme

Giselle Bundchen dhe Tom Brady po jetojnë të ndarë


Një ndër çiftet më të njohura në gjithë botën, supermodelja Giselle Bundchen dhe ylli i futbollit amerikan, Tom Brady, po jetojnë të ndarë dhe po kalojnë një periudhë të vështirë në martesën e tyre, e cila u zyrtarizua në vitin 2009.

Sipas një burimi pranë çiftit, i cili ka folur për median amerikane CNN, shtatë herë kampioni i Super Bowl-it dhe modelja po jetojnë veçmas, në dy rezidenca të ndryshme, madje mendohet edhe në shtete të ndryshme të SHBA-ve.

Një prej arsyeve të menduara, mund të jetë pikërisht edhe angazhimi i radhës i Brady-t, për t’u kthyer në fushën e gjelbër, pasi u tërhoq fillimisht në shkurt të vitit të shkuar.

Asokohe, Bundchen foli për revistën amerikane “Elle” dhe shprehu shqetësimin mbi vendimin që bashkëshorti i saj pati marrë, në moshën 45-vjeçare.

Futbolli amerikan është një sport shumë fizik dhe Brady ka mbi 22 vjet, që e luan atë në nivel profesionit, ku edhe ka shkëlqyer dhe ka fituar emërtimin “GOAT” (më i miri i të gjitha kohërave).

Në një podcast, Brady pati pranuar se prej 23-vjetësh, nuk ka festuar krishtlindjen me familjarët, ka munguar në shumë ditëlindje dhe shumë data të rëndësishme. E gjithë kjo, për shkak të karrierës së tij shumë të angazhuar në NFL.

Ndaj, ai i habiti të gjithë me vendimin për t’u rikthyer në fushë në moshën 45-vjeçare, kur shumica e lojtarëve tërhiqen nga ky sport që në të 35-at.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore