Jetesë & Stil

Gigi Hadid me lutje publike për mediat, kërkon t’i respektohet privatësia e vajzës së saj


Gigi Hadid, modele

Mes çiftesh “VIP” që janë shumë të rezervuar kur në pyetje është privatësia e fëmijëve të tyre, bëjnë pjesë edhe modelja, Gigi Hadid dhe këngëtari, Zayn Malik, të cilët kanë sjellë në jetë një vajzë që e pagëzuan me emrin – Khai.

Por, në respektim të privatësisë së tyre nuk kanë qëndruar disa persona, të tillë si paparacit dhe mediat në përgjithësi, të cilët kohë pas kohe janë përpjekur që të zbulojnë diçka më shumë nga jeta personale e Gigit dhe Zayn, saktësisht identitetin e të voglës së tyre.

Lidhur me këtë çështje, modelja e njohur amerikane me prejardhje nga Palestina, ka vendosur të publikoj një shkrim goxha të gjatë, me anë të cilit iu kërkon mediave që ta respektojnë dëshirën e saj për privatësi të vajzës së saj, Khai.

Sipas Gigit, vajza e saj tashmë ka filluar të rritet dhe dëshiron që bashkë me të të shijojë pamjet e bukura nëpër vende të ndryshme të botës, ashtu siç bënë herën e fundit gjatë vizitës në New York.

“Ndërkohë që vogëlushja jonë rritet kemi kuptuar se nuk mund ta mbrojmë nga çdo gjë ashtu siç ne do të donim kur ishte më e vogël. Asaj i pëlqen ta shikojë botën! Dhe pavarësisht se merr shumë prej saj afër fermës, ajo ka nisur të shikojë edhe vende të tjera, një bekim i vërtetë. Në vizitat tona të fundit në New York, ajo e do mbrojtësen e saj nga dielli të ngritur lart dhe e heq vetë atë”.

“Ajo nuk e kupton pse është e mbuluar në qytet, apo nga çfarë dua ta mbroj. Dua gjithashtu që të shikoj qytetin më të mrekullueshëm në botë, njerëzit e bukur dhe të ndryshëm që ecin rrugëve të New York-ut”, ka shkruar modelja.

Ylli i modës, ka lutur medat dhe paparacit që edhe në rast se e fotografojnë atë gjatë kohës kur ajo është nën shoqërinë e vogëlushes së saj, kësaj të fundit t’i mbulojnë fytyrën, teksa thekson se privatësia duhet respektuar deri kur vajza e saj të rritet dhe të vendos vetë për fatin e saj.

“E shkruaj gjithë këtë për t’i thënë paparacit, mediave dhe faqeve shumë të dashura të fansave, ju e dini se qëllimisht ne nuk kemi publikuar kurrë foto të fytyrës së vajzës sonë në rrjete sociale. Dëshira jonë është që ajo të zgjedhë si ta ndajë veten me botën kur të rritet dhe që ajo të ketë një fëmijëri normale, pa u shqetësuar për imazhin publik të cilin ajo nuk e ka zgjedhur”.

“Nëse mundeni ju lutem, ju lutem, ju lutem mbulojeni fytyrën e saj në foto, kur kapet në kamera. E di që është një punë ekstra, por si një nënë e re, dua vetëm më të mirën për vogëlushen time, ashtu siç duan të gjithë prindërit dhe shpresoj që kjo mund të ndihmoj debatin për mbrojtjen e të miturve në media, edhe nëse vijnë nga një familje publike”, ka shtuar Gigi Hadid.

Ndryshe, kohë më parë, Gigi Hadid, kishte rrëfyer për jetën e saj të re si mami i Khait, lindja e së cilës nuk kishte qenë e lehtë.

Hadid ka treguar se vajza e saj lindi në shtëpinë e tyre në Pensilvani me asistencën e një mamie. Pranë saj ishin e ëma, motra e saj Bella dhe Zayn.

“Unë nuk e dija si do  të ishte lindja me epidural dhe mamia më tha se duhet të shtrëngohesha dhe të shtyja, dhe të njëjtën gjë do bëja edhe nëse do isha e shtruar në spital”, ka rrëfyer Ggi dhe pas 14 orësh dhimbje, Khai kishte ardhur në jetë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore